Mungojnë deputetët, dështon seanca ku pritej debati për qeverisjen e Kurtit

24.05.2024

Në mungesë të deputetëve ka dështuar të mbahet seanca plenare, ku në rend dite ishte shqyrtimi i Projekt-Rezoulutës për tri vjet qeverisje nga kryeministri Kurti.

Mungojnë deputetët, dështon seanca ku pritej debati për qeverisjen e Kurtit Foto: Ilustrim

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se është mirë që ky debat të mbahet kur në sallë janë më shumë deputetë, transmeton Telegrafi.

“Grupi Parlamentar i AAK-së tash e tre muaj ka vendosur në kryesi një kërkesë për një debat të tri vjet qeverisje, edhe në mungesë të deputetëve që do të jetë ballafaqim i vërtetë mes opozitës dhe kryeministrit po e shtyjmë këtë debat”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se kanë pritur mbi 40 minuta që deputetët të vijnë në sallë, dhe se për tu mbajtur seanca duhet të jenë present 61 deputetë.

Ndryshe, në sallë u panë vetëm 40 deputetë.

Në draft-rezolutën e AAK-së thuhet “të gjithë parametrat e deritanishëm, sot në trevjetorin e kësaj Qeverie janë dëshmi se janë plotësuar të gjitha kushtet që Qeveria ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me mocion për shkarkimin e saj, të propozuar nga AAK”.

AAK thekson tutje në draft-rezolutën se “pas dorëheqjes ose shkarkimit të Qeverisë, të shpërbëhet Kuvendi i Republikës së Kosovës”.