Çlirim Gashi
29.03.2019, 9:05

Muharremaj: Prapa lojërave të fatit nuk qëndron AAK-ja

Dje gjatë një seance të jashtëzakonshme votuan të gjithë deputetët për mbylljen e lojërave të fatit, por ka pasur reagime duke thënë se prapa lojërave të fatit qëndron partia e kryeministrit Haradinaj, AAK, por një gjë të tillë kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka hedhur poshtë.

Në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, theksoi se ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët e Suharekës po ashtu edhe nga diaspora për mbylljen e lojërave të fatit, ku në Suharekë janë rreth 120 pika të kazinove.

Muharremaj kishte ftuar organet përgjegjëse dhe ka marrur vendim që pikat e lojërave të fatit të bastisen kuptohet ato që veprojnë jashtëligjshëm.

Sipas informatave të Kryetarit Muharremaj, në Komunën e Suharekës vetëm 18 pika të lojërave të fatit kanë qenë të licencuara.

“Në fshatin Mushtisht dhe Vraniq ka pasur më shumë pika të lojërave të fatit, ku vetëm në këto dy fshatra kanë qenë mbi dhjetë pika të tilla, dhe vepronin ilegalisht”, tha Muharremaj

Po ashtu Muharremaj tha se pasi janë mbyllur lojërat e fatit në Shqipëri, në Kosovë përkatësisht në Suharekë është rritur me të madhe numri i këtyre pikave.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj kujtoi se në fshatin Mushtisht ka pasur edhe protesta për mbylljen lojërave të fatit.

“Ditën e nesërme kam filluar që në bazë të Ligjit të prokurimit kemi vendosur të shtypim librat dhe të dalim në terren. Ditën tjetër kemi filluar me një peticion dhe së bashku me subjektet politike dhe përfaqësuesit fetar. Të enjten kemi filluar, ndërsa të shtunën kemi arritur mbi 11 mijë nënshkrime. Ka pasur edhe më herët peticione por nuk kemi arritur të mbledhim këto nënshkrime”, tha ai.

Kryetari Muharremaj për këtë peticion kishte marrur përkrahje nga të gjithë qytetarët po ashtu edhe nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe se ai ka kryer obligimin ndaj tyre duke e dorëzuar peticionin në Kuvend të Kosovës.

Ndër të tjerash ai ka folur edhe rreth propagandave që ishin bërë kohëve të fundit duke thënë se prapa lojërave të fatit qëndron partia AAK.

Por, Kryetari Muharremaj një gjë të tillë e ka hedhur poshtë duke thënë se tani doli në pah që partia AAK nuk është prapa këtyre lojërave.

“Pranoni realitetin sepse çdoherë kanë thënë se prapa lojërave të fatit qëndrojnë njerëzit e AAK-së. Doli që nuk janë njerëzit e Aleancës ashtu siç na kanë akuzuar”, tha ai.