MSH: Variantin e ri të COVID-19, duhet marrë parasysh
Së fundi një nga variantet e reja të COVID-19 është edhe Omicron. Lidhur me mundësinë e arritjes së këtij varianti në Kosovë dhe rrezikut që i kanoset qytetarëve, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas MSH-së ky variant i koronavirusit duhet të merret seriozisht si kërcënim i shëndetit publik. “Çdo vend mund të preket nga […]
Së fundi një nga variantet e reja të COVID-19 është edhe Omicron.
Lidhur me mundësinë e arritjes së këtij varianti në Kosovë dhe rrezikut që i kanoset qytetarëve, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë.
Sipas MSH-së ky variant i koronavirusit duhet të merret seriozisht si kërcënim i shëndetit publik.
“Çdo vend mund të preket nga varianti Omicron, prandaj duhet marrë seriozisht edhe këtë variant si kërcënim. Jo për të bërë panik, por për të qenë sa më të përgatitur në çdo situatë”, u tha në përgjigjen e ministrisë.
Poashtu të njëjtit kanë theksuar se profesionistët shëndetësorë po vazhdojnë të informojnë qytetarët lidhur me rrezikun që kanoset nga ky variant i Omicron, si dhe shenjat që bëjnë të ditur se mund të jemi infektuar me të.
“Çdo ditë po ndahen informacione përmes kanaleve të ndryshme të komunikimit rreth Omicron dhe informatat po përditësohen për qytetarët. Edhe profesionistët shëndetësorë po e bëjnë këtë, krahas Ministrisë së Shëndetësisë”.
Tutje nga MSH kanë thënë se sipas OBSH-së nuk është ende e qartë nëse infeksioni me Omicron shkakton sëmundje më të rëndë në krahasim me infeksionet me variantet e tjera, duke përfshirë variantin Delta.
“Të dhënat paraprake sugjerojnë se ka nivele në rritje të shtrimeve në spital në Afrikën e Jugut, por kjo mund të jetë edhe për shkak të rritjes së numrit të përgjithshëm të njerëzve që infektohen dhe jo si rezultat i një infeksioni specifik me Omicron”, u tha nga MSH.
Madje është thënë se aktualisht nuk ka asnjë informacion që sugjeron që simptomat e lidhura me Omicron janë të ndryshme nga ato të varianteve të tjera.
“Por të kuptuarit e nivelit të ashpërsisë së variantit Omicron do të zgjasë disa ditë deri në disa javë. Të gjitha variantet e COVID-19, duke përfshirë variantin Delta që është dominues aktualisht në mbarë botën, mund të shkaktojnë sëmundje të rënda ose vdekje, veçanërisht për njerëzit më të cenueshëm”.
Ministria e Shëndetësisë mbrëmë ka bërë të ditura masat e reja antiCOVID, të cilat kanë pak ndryshime.
Qytetarët e Kosovë do të vazhdojnë sërish të respektojnë vendosjen e orës policore e cila nis në ora 00:00 deri në ora 05:00, si dhe padyshim do të vazhdojë bartja e maskës.
Përpos kësaj të gjithë ata që do t’u duhet të lëvizin përmes autobusëve urban do të duhet që të kenë me vete dëshminë e vaksinës antiCOVID.
Poashtu kushdo që hy në territorin e Kosovës nga vendet e jashtme që nga 3 janari do të duhet të ketë dëshminë e dy dozave të vaksinës antiCOVID.
Ndër të tjerash nga Ministria e Shëndetësisë është theksuar se lokalet e gastronomisë do të vazhdojnë të funksionojnë njësoj, me masat e vendosura më parë.
Por duke mos qenë vetëm një lloj i këtij virusi, shumë variante veçse kanë dalë në pah e që padyshim rritën edhe më tepër rrezikun e përhapjes, të infektimit dhe të marrjes së jetëve në gjithë botën.
E nga ky rrezik asnjëherë anash nuk mbeti as Kosova, saktësisht qytetarët e saj.