OVL e UÇK-së Mosmiratimi i buxhetit, 37 mijë veteranë rrezikojnë të mbesin pa pensione

Ministria e Financave ka paralajmëruar se në rast të mos miratimit të ligjit të ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars nëse ka vendim nga Kuvendi dhe nga Thesari i Kosovës do të lejohen vetëm pagesat për borxhin publik mund të realizohen sipas afatit të pagesës.

Në një komunikatë për media, MF sqaron se më datën 31 tetor 2019 e ka dorëzuar në Qeveri propozim- buxhetin për vitin 2020, por kjo e fundit nuk ka mundur të aprovojë projektligjin e buxhetit dhe ta dërgojë në Kuvend, pasi ky i fundit nuk ishte konstituuar.

Për më tepër, MF sqaron se propozim-buxheti mund të trajtohet dhe procedohet nga Qeveria e re te Kuvendi i konstituuar, si organe të nxjerra nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

Në pajtim me autorizimet ligjore të LMFPP, Ministria e Financave ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e tij për organizatat buxhetore, për 2 muaj të vitit 2020, ose 16.67% e ndarjeve finale vjetore të vitit 2019, përkatësisht deri me datën 28 shkurt 2020, pasi është plotësuar kushti sipas nenit 24, paragrafi 1a i LMFPP, përkatësisht për shkak se zgjedhjet janë mbajtur në 4 muajt e fundit para fillimit të vitit fiskal, si situatë e përcaktuar në LMFPP.

Nëse nuk bëhet miratimi i buxhetit për vitin 2020 atëherë rrezikohen të mbesin pa pensione edhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Rreth 37 mijë persona marrin pension si veteranë, e disa prej tyre janë raste sociale.

Këta persona të cilët luftuan për çlirim e liri, rrezikojnë të mbesin pa të ardhurat e vetme nëse nuk miratohet ligji i buxhetit para 31 marsit.

LEXO EDHE:  2 raste të reja më COVID-19 në Suharekë, 152 në tërë Kosovën

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duket se 170 euro të pensionit do t’i marrin vetëm edhe në muajin shkurt pasi që ende nuk ka Qeveri të re.

Nasim Haradinaj nga OVL e UÇK-së, për IndeksOnline ka thënë se veteranët e luftës janë përgjegjësi e institucioneve.

Haradinaj ka theksuar se në Kosovë ka të tillë që mbijetojnë vetëm me atë pension dhe me mos miratimin e ligjit të ri për buxhetin ata do të ndihen të fyer.

“Ne kemi edhe raste sociale, nuk dua t’i ndaj por sidomos ndaj këtyre Qeveria ka obligim që të miratoj ligjin për ta.

Ata jetojnë vetëm me një pension të vogël, social e tani do të ndihen edhe më të fyer e që fatkeqësisht që këtë përgjegjësi e ka politika”, ka thënë ai.

Haradinaj duke u shprehur i mllefosur me situatën politike pati një mesazh për qytetarët.

“Këtë përgjegjësi duhet ta marrë faktori politik, besoj se edhe ne votuesit do të mbushen mend njëherë e përgjithmonë se si të kërkojnë detyra ndaj atyre që i votojnë

Vota jonë është obligim dhe i detyron ata që të na shërbejnë neve, e jo të i ndjekin ata llukset e tyre”, shtoi ai.

Në komunikatën e MF-së thuhet se sipas praktikës parlamentare dhe opinioneve ligjore kompetente, duke qenë se Qeveria në dorëheqje nuk aprovon projektligje, dhe më tepër, projektligjin e buxhetit i cili përveç tjerash është edhe dokument politik i cili pasqyron objektivat strategjike dhe programin e qeverisë, mbetet në përgjegjësi të institucioneve të dala nga zgjedhjet e vitit 2019 që të mundësojnë konstituimin e organeve të Kuvendit (komisioneve parlamentare) si dhe Qeverisë, për të trajtuar çështjen e buxhetit dhe projektligjin e buxhetit për vitin 2020, si ndër veprimet e para më se urgjente, propozimin e të cilit si draft e ka dorëzuar Ministria e Financave në arkivin e Qeverisë.