Morinë, dy të rinj nga Kosova kapen me mijëra euro të padeklaruara

02.12.2024

Dy shtetas kosovarë janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës pasi u kapën me një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruara. Gjatë një kontrolli rutinor në automjetin e tyre tip “Volkswagen”, policët zbuluan 18.000 franga zvicerane dhe 9.150 euro të fshehura.

Sipas njoftimit të policisë, shtetasit në fjalë, me moshë 22 dhe 32 vjeç, nuk kishin deklaruar këto para në doganë, duke shkelur kështu legjislacionin në fuqi. Të gjitha të holla janë sekuestruar si provë materiale.

“Specialistët për hetimin e krimeve të policisë kufitare referuan materialet në prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit kosovarë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shqipërisë.

Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa prokuroria e Kukësit do të vendosë masat e mëtejshme ndaj të arrestuarve.