Me apo pa nisjen e mocionit të mosbesimit nga opozita ndaj Qeverisë, Kuvendi i Kosovës, sipas partive opozitare dhe organizatave që monitorojnë punën e legjislativit, nuk është aspak funksional. Për problemet rreth funksionimit dhe vendimmarrjes, flasin edhe deputetët nga partitë në pushtet.
Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, janë duke shqyrtuar tani e sa kohë një mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.
Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kuvendi i Kosovës ka kohë që nuk është funksional dhe se sipas saj, në rrethana të tilla duhet të ndërmerren vendime të menjëhershme opozitare dhe qytetare.
Për faktin se Kuvendi nuk po funksionon si duhet, pajtohen edhe deputetët nga koalicioni qeverisës.
Zenun Pajaziti, deputet nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, e cila paraqet partinë më të madhe në koalicionin qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi i Kosovës po përballet me vështirësi.
“Kuvendi i Kosovës ka kohë që po përballet me vështirësi në funksionimin e tij, por kjo nuk ka penguar që agjenda e Kuvendit të vazhdojë ashtu siç është venduar nga kryesia e Kuvendit, pra kemi pasur në agjendë pikat e rregullta edhe shqyrtimin e projektligjeve dhe çështjeve tjera, por më së shumti ka pasur në agjendë seanca të jashtëzakonshme me kërkesë të opozitës dhe kjo shumë herë ka sjell vështirësi në votimet e atyre rezolutave apo vendime për çfarë kanë pretenduar opozita”, thotë Pajaziti./REL