Ministrja Hajdari: Ekonomia do të goditet edhe më shumë, por primare jeta e qytetarit

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari ka thënë se vendimi për marrjen e masave të reja që hyjnë në fuqi nga 15 prilli nuk ishte aspak i lehtë.

Ajo ka thënë se është e vetëdijshme që ekonomia do të goditet edhe më shumë me masat e reja, por një gjë e tillë është e pashmangshme për shkak se jeta e qytetarëve është në rrezik.

“Unë sonte si Ministri për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjika dua t’iu njoftoj se ishte vendim aspak i lehtë në bashkëpunim me ministrin Vitia dhe kolegët e tjerë ministra, por për shkak të situatës që pandemia po ec në të keqen dhe rrezikun e qytetarëve ne është dashur të vimë deri te ky vendim aspak i lehtë”.

“Me këtë vendim e di që ekonomia po goditet shumë rëndë. E kemi në vëmendje që ekonomia veç se është duke u goditur dhe do të goditet edhe më shumë me këtë vendim, por është me rëndësi se nëse pandemia ec dhe ne nuk marrim masa do të ishte edhe më keq për jetën e qytetarëve, po ashtu edhe për ekonominë”.

“Është e pashmangshme që këto masa të mos merren me qëllim të ruajtjes të jetës së qytetarëve dhe ekonomisë. Sa më herët që merren këto masa është më mirë për jetën e qytetarëve dhe ekonomisë. Nëse këto masa nuk do të merren ose do të merren më vonë do të kemi humbje më të mëdha ekonomike, por së pari do të kemi humbje shumë më të mëdha të jetës së qytetarëve”.

Ministrja Hajdari ka kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët dhe bizneset.

“Është shumë me rëndësi që të kemi mirëkuptimin e përbashkët me qytetarët dhe bizneset që të bashkëpunojmë dhe t’i largojmë këto rreziqe për shkak të pandemisë. Sa më shumë që kemi bashkëpunim me qytetarët dhe bizneset edhe këto masa do të largohen më herët”.

“Kërkoj mirëkuptimin tuaj në zbatimin e këtyre masave. Ju mirëkuptoj shumë. Jam në shërbim të ekonomisë, Portfolios së Punësimit, ndërmarrësisë, tregtisë, industrisë dhe investimeve strategjike, por të gjitha këto portfolio e kanë primare jetën e qytetarit. Pres mirëkuptim të qytetarëve për respektimin e masave që marrim sonte, sepse është në interes të përbashkët të shoqërisë”.

RAPORTO