Ministrja e arsimit pas kërkesës së SBASHK-ut: Kërcënimet duhet të marrin fund

Ministrja e arsimit pas kërkesës së SBASHK-ut: Kërcënimet duhet të marrin fund
Çlirim Gashi

29.04.2021 / Lajme

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se pandemia ka sjellë vështirësi për të gjithë e edhe për mësimdhënësit, derisa ka shtuar se situata me COVID-19 ka bërë që shumë nxënës të pësojnë ngecje në mësime.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se kjo është arsyeja që kanë marrë vendim për organizimin e mësimit plotësues për këta fëmijë.

“Mësimi plotësues parashihet me legjislacionin në fuqi siç e kam thënë edhe në ditën kur e morëm këtë vendim. Këtu po e citoj Ligjin për Arsimin Para Universitar në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-032, Neni 8 paragrafi 6, nenpragrafi 6.3 ku thotë se ”në rast se vërehen mangësi në zbatimin e kurrikulumit, Ministria mund të kërkojë zbatimin e mësimit shtesë ose alternativ””, tha ajo.

Nagavci ka thënë se për rezultatet e ulëta në arsim, përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve.

“Fatkeqësisht për rezultatet e ulëta në arsim përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve. Prandaj, është koha për punë sepse të gjithë e kemi obligim ta mbrojmë interesin më të mirë të fëmijëve. Kërcënimet e ikja e përgjegjësisë na kanë dëmtuar shumë. Kjo duhet të marrë fund”, tha ajo.

Nagavci kërkon nga shkollat e mësimdhënësit ta respektojnë vendimin për mbajtjen e mësimit plotësues për fëmijët që kanë pasur ngecje gjatë kësaj periudhe, duke thënë se çdo tendencë për të penguar punën me nxënësit që kanë ngecje, është dashakeqe dhe e papranueshme.

Ndryshe, SBASHK-u ka kërkuar nga drejtorit arsimore që përmes drejtorëve të shkollave të pajisin me vendime individuale secilin mësimdhënës që e angazhojnë në mësimin plotësues duke precizuar sa orë do t’i mbajnë, në cilën kohë e në cilin vend.

DKA-të të mos harrojnë se norma javore është 20 orë mësimi dhe se në Kontratën Kolektive të Arsimit saktësohet se çdo orë e mbajtur mbi këtë normë duhet të paguhet si orë e rregullt. Në të kundërtën SBASHK u drejtohet me apel anëtarësisë , pra punëtorëve në Arsimin Parauniversitar , që të mos fillojnë me mësimin plotësues, ka theksuar SBASHK.

Postimi i plotë i Nagavcit:

Pandemia ka sjellë vështirësi për të gjithë e edhe për mësimdhënësit. Situata me Covid-19 ka bërë që shumë nxënës të pësojnë ngecje në mësime. Kjo është arsyeja që kemi marrë vendim për organizimin e mësimit plotësues për këta fëmijë.

Mësimi plotësues parashihet me legjislacionin në fuqi siç e kam thënë edhe në ditën kur e morëm këtë vendim. Këtu po e citoj Ligjin për Arsimin Para Universitar në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-032, Neni 8 paragrafi 6, nenpragrafi 6.3 ku thotë se ”në rast se vërehen mangësi në zbatimin e kurrikulumit, Ministria mund të kërkojë zbatimin e mësimit shtesë ose alternativ”.

E mbaj mend kur unë isha nxënëse kemi mbajtur mësim shtues e plotësues e të njëjtën e kam praktikuar edhe vet sa kam qenë mësimdhënëse. Në kohën kur puna e mësimdhënësit është mbajtur me përgjegjësi, nuk ka pasur kërkesa për refuzim të mësimit plotësues. Unë njoh shumë mësimdhënës që edhe tash mbajnë mësim plotësues por fatkeqësisht jo të gjithë e bëjnë këtë.

Jam e vetëdijshme po ashtu, se kemi shumë mësimdhënës që me përgjegjësi të lartë e kryejnë detyrën e tyre dhe janë në shërbim të nxënësve duke i mbështetur si fëmijët talentë ashtu edhe ata që kanë vështirësi në të nxënë. Por, gjendjen në arsim nuk e kemi aspak të mirë dhe jo rastësisht jemi në një situatë të tillë. Ndikimet partiake e vendimet e nënshkruara në kohë fushatash janë arsyeja kryesore që e kanë degraduar arsimin.

Fatkeqësisht për rezultatet e ulëta në arsim përgjegjës janë edhe SBASHK-u si përfaqësues të mësimdhënësve. Prandaj, është koha për punë sepse të gjithë e kemi obligim ta mbrojmë interesin më të mirë të fëmijëve. Kërcënimet e ikja e përgjegjësisë na kanë dëmtuar shumë. Kjo duhet të marr fund.

Si ministre e Arsimit pres që DKA-të, shkollat e mësimdhënësit ta respektojnë vendimin për mbajtjen e mësimit plotësues për ata fëmijë që kanë pasur ngecje gjatë kësaj periudhe. Çdo tendencë për të penguar punën me nxënësit që kanë ngecje, është dashakeqe dhe e papranueshme.

Në këtë kohë kur shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë jo vetëm në Kosovë por gjithandej në botë, mësimdhënësit duhet ta ndjejnë veten me fat që janë në marrëdhënie pune.

RAPORTO