Ministrja e Arsimit: Gjatë javës merret vendimi për orarin mësimor

Ministrja e Arsimit: Gjatë javës merret vendimi për orarin mësimor
Çlirim Gashi

09.06.2021 / Lajme

Janë bërë më shumë se një vit që nga paraqitja e rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, qeveria e atëhershme kishte ndërmarrë disa masa ku çuan deri te mbyllja e institucioneve arsimore në vend.

Pastaj kishte filluar hapja graduale e institucioneve arsimore, ku edhe u zhvillua mësimi në disa skenare, por edhe pse tashmë të gjitha shkollat ndjekin mësimet në skenarin A, ora mësimore ende mbetet e shkurtuar.

Ndërsa sot ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se gjatë javës do të merret një vendim nëse do të ketë ndryshim të orarit mësimor sa i përket pjesës së mbetur të këtij viti shkollor 2020/21.

Ministrja e Arsimit ka theksuar se gjatë ditës së nesërme do të mbahet një takim me task forcën në nivel të Kosovës, si dhe të premten me Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA), ku do të diskutohen këto çështje.

Ndërsa për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/22, ajo tha se pritet që gjithçka të fillojë me kohë.

“Për vitin e ardhshëm shkollor besojmë se që do të fillojë gjithçka me kohë. Ndërkaq sa i përket këtij viti shkollor ne kemi të premten një mbledhjet me DKA-të.

Ne kemi kërkuar edhe nga task forcat në nivel të komunave që të na njoftojnë për gjendjen në komuna, nesër kemi edhe një takim të task forcës në nivel të Republikës së Kosovës edhe do të diskutohen të gjitha këto çështje që kanë të bëjnë me vazhdimin e procesit deri në përfundim të këtij viti shkollor”, tha Nagavci.

Ndryshe, drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani për SuharekaOnline ka theksuar se me rekomandim të MASHTI-it edhe task forcat e shkollave të Komunës së Suharekës kanë mbajtur takim ku edhe kanë rënë dakord që të kthehet normaliteti në shkolla, që ora mësimore të bëhet 45 minuta, ashtu siç ka qenë para pandemisë COVID-19.

Ndërsa pas mbajtjes së këtij takimit dhe vendimit të task forcave të shkollave, Bajselmani ka theksuar se si drejtori e arsimit e kanë dërguar njoftimin në MAShTI dhe se presin aprovimin apo vendimin.

RAPORTO