Ministria e arsimit: “Kemi marrë masa edhe ndaj administruesve”

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ditë më parë ka bërë tërheqjen publike të shortit për renditjen e mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore nëpër regjione.

Sipas shortit në regjionin e Prishtinës pjesa e parë e Testit të Maturës do të mbahet më 12.06.2019, në regjionin Ferizajt dhe Gjilanit më 13.06.2019, në regjionin me Prizrenit dhe Gjakovës më 14.06.2019 dhe në regjionin e Pejës dhe Mitrovicës më 15.06.2019.

Fehmi Hysenaj, kryetar i Komisionit të maturës shtetërore, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë test.

“MASHT, drejtoritë i kanë bërë të gjitha përgatitjet. Edhe testi është përgatitur me ekspertë”, i tha ai sot RTK-së.

Sipas tij janë marrë masat ndaj atyre që tentojnë të prishin mbarëvajtjen e testit. “Kemi marrë masa edhe ndaj administruesve”, tha ai.

Renditja e regjioneve sipas tërheqjes së shortit do të jetë e njëjtë edhe në pjesën e dytë të testit të maturës, e cila fillon më 19.06.2019 në regjionin e Prishtinës, më 20.06.2019 në regjionin e Ferizajt dhe Gjilanit, më 21.06.2019 në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës dhe më 22.06.2019 në regjionin e Pejës dhe Mitrovicës.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.