Ministria e Arsimit hap thirrjen për 5 bursa – Përfito deri në 7 mijë € për studime brenda ose jashtë vendit
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka shpallur thirrjen zyrtare për mbështetje financiare për pesë skema bursash, të dedikuara për studentët e universiteteve publike në Kosovë dhe ata që ndjekin studime jashtë vendit.
Qëllimi kryesor i kësaj nisme është nxitja e ekselencës akademike, përfshirjes dhe diversitetit në arsimin e lartë.
Skemat përfshijnë mbështetje financiare për kategori të ndryshme të studentëve dhe janë si më poshtë:
Bursa për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian – Ofrohet një shumë prej 1,000 eurosh për studentët që regjistrohen për herë të parë në vitin e parë të studimeve (niveli bachelor) në universitetet publike të Kosovës.
Bursa për studimet jashtë vendit (niveli bachelor) – Deri në 5,000 euro për studentët kosovarë që ndjekin studime në Top 100 universitetet botërore, sipas renditjes së “Times Higher Education”.
Bursa për studimet jashtë vendit (niveli master) – Mbështetje deri në 7,000 euro për studentët që ndjekin studime master në Top 200 universitetet botërore, bazuar në të njëjtën renditje ndërkombëtare.
Bursa për studentet në fushat STEM – Ofrohet 1,000 euro në vit për vajzat dhe gratë që studiojnë në programet e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës në universitetet publike të Kosovës.
Bursa elitare për studentët në universitetet publike – Të drejtë aplikimi kanë studentët me mesatare së paku 9.0 (ose 8.0 për studentët nga komunitetet RAE), si dhe studentët me aftësi të kufizuara.
Aplikimi për të gjitha këto skema bëhet ekskluzivisht përmes platformës elektronike e-Kosova. Thirrja është e hapur nga data 3 tetor deri më 18 tetor 2025, ora 16:00.
MAShTI njofton se listat e përfituesve do të publikohen në faqen zyrtare të ministrisë, ndërsa kandidatët që nuk përzgjidhen kanë të drejtë ankese brenda 7 ditëve nga shpallja e rezultateve.
Kjo thirrje për bursa pritet të sjellë një ndikim pozitiv në rritjen e cilësisë dhe barazisë në arsimin e lartë, duke përkrahur talentët e rinj, vajzat në shkencë dhe studentët me nevoja të veçanta.