Ministri Zemaj paralajmëron masa të reja

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar masa të reja për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ndonëse nuk ka specifikuar se për çfarë masa bëhet fjalë Zemaj vetëm ka bërë të ditur se para marrjes së masave të reja sot është takuar me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, kryetarin e Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi dhe kryetarin e Odës Hoteliere të Kosovës, Hysen Sogojeva.

“Secili nga ne ndjejmë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e shëndetit publik dhe shëndetësisë, andaj është qenësore që të gjithë se bashku, nga aty ku veprojmë t’i zbatojmë rregullat për të parandaluar përhapjen e virusit sikurse dhe udhëzimet që dalin nga Manuali për Mbrojtje nga Përhapja e Covid-19.

Janë të arsyeshme shqetësimet e secilës kategori të shoqërisë sonë, por të gjithë së bashku duhet të mendojmë për shëndetin publik. Rekomandimet e marra gjatë takimit të sotëm, do t’i diskutoj me kryeministrin z.Hoti në mënyrë që masat e marra nga Qeveria të prekin sa më pak ata dhe të jenë sa më të lehta për të gjithë ne”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.