Ministri Vitia bën thirrje për kujdes më të shtuar, pas vdekjes së 40 vjeçares

Ministrit në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur rreth rastit të vdekjes së gruas shtatzënë me koronavirus. 

Ai përmes një postimi në Facebook, ka ngushëlluar familjarët e viktimës.

Sipas tij, kurrë nuk është mjaft kujdesi. “Le të mos shpërqendrohemi nga mbrojtja në këtë betejë që hera – herës i kapërcen mundësitë tona të deritanishme”, shkroi ai.

Postimi i plotë:

Sot morëm njoftimin e rëndë për humbjen e jetës së bashkëqytetares sonë. Ajo priste të bëhej nënë. Komplikimet nga Covid-19 ia prenë jetën dhe ëndrrën në mes.
Marrim pjesë në këtë dhimbje të dyfishtë të familjes e miqve!

Nuk ka fjalë ajo çfarë ndjejmë ne dhe gjithë stafi mjekësor që e asistoi gjatë tërë këtyre ditëve të vështira.
Të nderuar qytetarë, na duhet forcë e disiplinë për të shmangur dhembje të tjera.

Të mbrojmë veten dhe të dashurit tanë. Jeta ka vlerë sepse ajo e bën të mundur çdo shpresë e çdo projekt.

Kurrë nuk është mjaft kujdesi. Le të mos shpërqendrohemi nga mbrojtja në këtë betejë që hera – herës i kapërcen mundësitë tona të deritanishme.

Të zbatojmë rregullat, të mbrojmë e shpëtojmë jetë. Duhet të besojmë realisht që kjo fazë është e përkohshme dhe nuk duhet të rrezikojmë një jetë të tërë nga pakujdesitë në këto pak javë. 

RAPORTO