Ministri i Mbrojtjes, Maqedonci: Kosova këtë javë i çon kamionë e autoblinda Ukrainës

07.04.2024

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë sot se Kosova do t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës.

Ministri i Mbrojtjes, Maqedonci: Kosova këtë javë i çon kamionë e autoblinda Ukrainës Foto: Ilustrim

Në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadoulu, Maqedonci deklaroi se janë gjithmonë të gatshëm të mbështesin “luftën e drejtë për liri” të Ukrainës.

Ai tha se ndihma, të cilën ai e quan modeste, është shumë e rëndësishme për Ukrainën në këtë fazë të vështirë të luftës së tyre për liri.“Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, theksoi Maqedonci.