Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës nga LVV, Drita Millaku, thotë se votimi i Gjykatës Speciale nga Parlamenti është e keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës gjatë 20 viteve të lirisë së saj.
Në një intervistë për TvPrizrenin ajo thotë se Presidenti, Hashim Thaçi, duhet të jap dorëheqje nga posti që mban dhe të mbroj pastërtinë e luftës së UÇK-së, pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria e Specializuar ndaj tij dhe ish kryeparlamentarit, Kadri Veseli.
Ish deputetja e LVV-së nga Prizreni, Drita Millaku, e cila nuk e kishte votuar themelimin e Gjykatës Speciale, thotë se ne e kemi kundërshtuar këtë Gjykatë jo vetëm në Parlament por edhe jashtë tij, prej momentit kur Dik Marti ngriti pretendimet e tij duke e cilësuar UÇK-në si organizatë kriminale.
Ajo kritikon Presidentin Hashim Thaçi, për presionin që siç thotë ajo kishte bërë ndaj deputetevë që të votonin pro themelimit të Gjykatës, e cila është e keqja më e madhe që i ka ndodhur vendit tonë 20 vite në liri. Ajo thotë më tej se, Kosova duhet të padiste Serbinë për krimet e kryera e jo të ndodh e kundërta, dhe se dëmet që po na shkaktohen nga kjo Gjykatë janë rezultat i paaftësisë se drejtuesve të institucioneve qeverisëse që nga paslufta, përveç kundërshtimeve që kishte bërë lideri i LVV-së, Albin Kurti, thekson ajo.
Ish deputetja Millaku, thotë se Presidenti Thaçi duhet të jap dorëheqje pas publikimit të aktakuzës dhe të dëshmojë pastërtinë e luftës çlirimtare të UÇK-së, pasi ai e solli Gjykatën Speciale, që është një dëm i madh për Kosovën edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Ndryshe, të mërkurën pasdite, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.