Sipas tij, deri më tani janë dorëzuar 23,118 lëndë përmbarimore kundër komunave në Thesar, si pasojë e një kontrate kolektive të nënshkruar paligjshëm.
Shuma totale e kërkuar për përmbarim ka arritur në 35.8 milionë euro, një shifër tronditëse që përfshin 25.6 milionë euro borxhe ndaj përfituesve dhe 10.2 milionë euro tarifa për përmbaruesit. Murati ka theksuar se këto tarifa janë tejet të larta, duke i tejkaluar në disa raste vetë vlerat e borxheve të përmbaruara.
“Organet e rendit duhet të merren seriozisht me këtë çështje,” ka deklaruar Murati, duke shprehur shqetësimin për mungesën e hetimeve nga prokuroria. Sipas Asociacionit të Komunave, dëmi buxhetor nga kjo kontratë e paligjshme ka kaluar shifrën e 100 milionë eurove, por deri tani nuk ka asnjë rast të hapur ndaj përgjegjësve të kësaj situate.