Milaim Zeka zyrtarizon partinë e re, jep premtime të mëdha që në prezantim

Deputeti i Kuvendi të Kosovës ka zyrtarizuar partinë e tij me emër Partia Euroatlantike e Kosovës.

Skenës politike të Kosovës sot iu shtua edhe një parti e re, Partia Euroatlantike, me bashkëthemelues deputetin Milaim Zeka dhe Hysen Gecaj.

Në prezantimin e saj, Milaim Zeka u shpreh se do t’i arrestojnë të gjithë hajnat në Kosovë.

Zeka ka thënë se partia që ai drejton ka për qëllim të largojë nga skena politike të gjithë ata politikanë të cilët deri më sot e kanë zhvatur Kosovën.

Sipas Zekës e Gecajt kjo parti i duhet politikës kosovare për të sjellë frymë të re dhe t’ua mundësojë edhe të tjerëve vendimmarrjen e jo të vendosë vetëm kryetari i partisë.

Ky është shkrimi i plotë i Milaim Zekës:
“Po e fillojmë një luftë politike, sepse kur e kanë filluar studentët në vitin 1981 shumica nga thoshin a rrëzohet Tito, e rrëzuam. Kur filluan minatorët një herë menduam a është e mundur, ata na bënë krenarë. Për herë të parë na kanë shty me mendu në mënyrë kolektive për interesat e Kosovës”.

“Kur e ka filluar në 1989 Rugova, shumica kemi thënë, a është normal ky njeri, a mund t’ia dalë por pastaj u bë një lëvizje gjithëpopullore. Liderët botëror duke filluar nga Bill Clinton e Wesley Clark na erdhën dhe na thanë se lufta në paqë është shumë më e vështirë se ajo kundër Millosheviqit, ne thonim si është e mundur, por sot po e shohim se kanë pasur të drejtë. Na erdhi James Rubin dhe na tha ju komandantë të luftës largohuni nga skena politike, por këta nuk e dëgjuan”.

“Këta u tallën me James Rubinin sepse këta abuzuan me gjakun e kombit shqiptar, abuzuan me politikën vetëm e vëtëm për tu pasuruar dhe për ta zhvatë Kosovën. Sikur këta të largoheshin nga politika dhe t’i shikonin punët e veta, qoftë nëpër ferma të lopëve qoftë në ndërtim, nuk do të krijohej Gjykata Speciale”, ka thënë Zeka.

Po ashtu bashkëthemeluesi Hysen Gecaj, tha se është momenti që të vetëdijesohemi dhe të mos lihen më të rinjtë të shkojnë jashtë për jetë më të mirë.

“Tani që e kemi shtetin tonë kemi detyruat fëmijët tanë të lëshojnë vendin e vet dhe të bëhen shërbëtorë në vende thera. Mos të lejojmë të na mallkojë gjaku i dëshmorëve, vaji i nënave. Të mos lejojmë që fëmijët të na mbeten jashtë vendit tonë dhe të na bëhen shërbëtorë në vende të huaja. Është momenti i fundit për zgjimin tonë”, tha ai.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.