Mijëra kandidatë për zgjedhjet lokale do t’i nënshtrohen verifikimit

02.06.2021

Ende nuk janë shpallur zgjedhjet lokale për komunat e Kosovës. Ndonëse nuk është bërë e ditur ndonjë datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, subjektet politike kanë filluar prezantimin e kandidatëve për kryetar të Komunave apo edhe për Kuvend Komunal. Gjatë ditës së djeshme Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – dega Suharekë ka zyrtarizuar kandidatin e […]

Mijëra kandidatë për zgjedhjet lokale do t’i nënshtrohen verifikimit Foto: Ilustrim

Ende nuk janë shpallur zgjedhjet lokale për komunat e Kosovës.

Ndonëse nuk është bërë e ditur ndonjë datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, subjektet politike kanë filluar prezantimin e kandidatëve për kryetar të Komunave apo edhe për Kuvend Komunal.

Gjatë ditës së djeshme Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – dega Suharekë ka zyrtarizuar kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Suharekës, e ai është ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëherish kryetari i partisë në këtë qytet, Ardian Shala.

Duke marrë parasysh proceset e kaluara të zgjedhjeve lokale, edhe në këto zgjedhjet të këtij viti mijëra kandidatë do të garojnë për pozitën e kryetarit në gjithsej 38 komuna apo edhe për ulëse në Kuvendet Komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për KosovaPress bëri të ditur sa i përket certifikimit të kandidatëve që duan të garojnë në këto zgjedhje do të veprojnë njësoj sikurse bën për zgjedhjet e 14 shkurtit, duke kërkuar verifikimin e kandidatëve në një numër institucionesh.

“Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen në garën për kryetar komune apo për kuvende komunale, KQZ-ja do t’i drejtohet disa institucioneve të ndryshme, në këtë rast Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Jashtme, Ministria e Mbrojtes, Agjencia së Kosovës për Inteligjencë si dhe Doganave të Kosovës.

Ne nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuar të gjitha rastet kur një person nuk është i aftë të certifikohet si kandidat, prandaj do të kërkohet për secilin prej kandidateve, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë.

Pra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kohën pra kur të vijë periudha e certifikimit të kandidatëve që duan të kandidojnë që duan të garojnë në zgjedhjet lokale qoftë për kryetar komunë qoftë apo për kuvende komunale do të veprojë njëjtë sikurse për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat janë mbajtur më 14 shkurt”, tha Elezi.

Ndërkaq, i pyetur se si do të veprojë KQZ-ja lidhur me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë kriteret ligjore, pra nëse janë të shpallur fajtor për vepër penale me vendim të formës së prerë të gjykatës në tri vitet e fundit, Elezi sqaroi procedurën që do të ndjekë KQZ-ja.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 29, pikën Q, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person ‘i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit’.

Prandaj, ne do të kërkojmë nga KGjK-ja që të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Kjo periudhë do të llogaritet nga dita e zgjedhjeve lokale, varësisht se cila do të jetë, dhe tri vite mbrapa asaj date”, tha ai.