Çlirim Gashi
04.04.2019, 9:05

Mësuesit e ciklit të ulët, të pa kënaqur me koeficientin e pagave

Marrëveshja e arritur ndërmjet Sindikatës së Arsimit dhe Qeverisë në janar të këtij viti, për rritje të koeficientit të pagave për mësimdhënësit, ka lënë të pakënaqur mësimdhënësit e ciklit të ulët nga klasa e parë deri në të pestën.

Këshilli Iniciues, i cili u formua, mblodhi mbi katër mijë nënshkrime të mësimdhënësve, duke kërkuar koeficient të barabartë me mësimdhënësit e arsimit të mesëm të ulët. Anëtarët e Komisionit për Arsim dhe Ministria e Arsimit janë zotuar se do të angazhohen për plotësim ndryshimin e Ligjit për Paga në momentin kur është e lejuar.

Ndryshimi i koeficientit të pagës për mësimdhënësit, ka krijuar pakënaqësi të shumta te mësuesit të ciklit të ulët. Mësimdhënësit patën formuar një këshill iniciues, të cilët mblodhën mbi 4 mijë nënshkrime në të gjitha shkollat e vendit. Ata kërkojnë që koeficienti i pagës së tyre të jetë i barabartë me koeficientin e mësimdhënësve të arsimit të mesëm të ulët. Xhavit Lani, përfaqësues i këshillit iniciues, tha për Radio Kosovën se peticionin e tyre me mbi katër mijë nënshkrime, e kanë dorëzuar në të gjitha institucionet përkatëse dhe kanë zhvilluar disa takime, transmeton RTK.

Lani bëri të ditur se tani janë në pritje të takimeve edhe me grupet parlamentare të partive politike, për të marrë edhe mbështetjen e tyre. Ndërsa, Sindikata e Arsimit edhe pse nuk e njeh këtë këshill iniciues, ka deklaruar se mësimdhënësve u është bërë e padrejtë dhe pritet që deputetët të rregullojnë këtë çështje përmes ndryshimeve të nevojshme në Ligjin për Pagat. Kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ismail Kurteshi, ka thënë se komisioni ka marrë iniciativën për plotësim-ndryshimet në ligjin përkatës.

Ministria e Arsimit ka pranuar një peticion nga mësimdhënësit e klasave nga 1 deri në 5. Ajo i ka siguruar ata për angazhim në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke bërë të ditur edhe faktin se nuk është drejtpërdrejt në kompetencat e saj për të bërë një ndryshim të tillë.

Deri tani, askush nuk ka dhënë një përgjigje të saktë se pse u bë kjo ndarje e koeficientit për mësimdhënësit e ciklit të ulët. Mësimdhënësit e ciklit të ulët dhe ata të mesëm të ulët aktualisht e kanë koeficientin të pagës 2.0. Aktualisht Ligji për Pagat nuk është në fuqi dhe ndryshimet janë të pamundura, ndërsa pritet të hyjë në fuqi në fund të këtij viti. Me ligjin e ri, mësimdhënësit në arsimin fillor e kanë koeficientin 2.3, ndërsa ata të ciklit të mesëm të ulët e kanë 2.45.