Me zbutjen e masave mund të mbahen provimi i maturës dhe provimet akademike

Dukagjin Pupovci thotë se meqenëse ka numër të vogël të rasteve pozitiv me COVID-19, do të ketë mundësi që provimet të mbahen edhe në fakultetit, por natyrisht duke respektuar masat e nevojshme.

Që nga mbyllja e shkolla për shkak të pandemisë Covid-19, në vendin tonë për herë të parë ka nisur aplikimi i mësimit online. E për njohësin e arsimit në vend, Dukagjin Pupovci shkollat janë gjendu mirë në këtë situatë me këtë formë mësimi. Madje thotë se me zbutjen e masave, testi i Maturës dhe provimet universitare do ketë mundësi të mbahen.

Pupovci i cili është drejtor i Qendrës për Arsim të Kosovës, thotë se sigurisht që do ketë probleme me cilësinë e këtij lloji të mësimit, por shton se është më mirë se sa të mos organizohej fare mësimi online.

“Ky mësim së pari ka filluar për dy javë, nuk ka filluar me idenë që do zgjasë kaq shumë dhe duke marrë parasysh se do të vazhdojë deri në fund të vitit shkollor mendoj se i ka tejkaluar parashikimet sepse nuk ka pasur asnjë përgatitje paraprake, asnjë ide që do ketë nevojë që mësimi të mbahet në këtë mënyrë dhe duke i marrë parasysh të gjitha këto kushte, mendoj se shkollat janë gjendur mjaftë mirë dhe po e bëjnë maksimumin në situatën e tanishme. Tani kur bëhet fjalë për cilësinë, sigurisht që mund të ketë probleme me cilësi por nga ana tjetër shumë më keq do të ishte sikur nxënësit do të mbeteshin të paangazhuar nëpër shtëpi dhe të mos kishte një formë të tillë të mësimit online”, theksoi Pupovci.

Pupovci për KosovaPress ka folur edhe për udhëzimin për vlerësim të nxënësve për çka tha se me këtë udhëzues të vlerësimit synohet që të nxiten nxënësit të mësojnë nga shtëpia e jo të penalizohen.

Ai tha se me zbutjen e masave karshi Covid-19, do ketë mundësi të mbahet provimi i maturës, por që testi i arritshmërisë mund të mos mbahet fare.

“Mendoj që vlerësimi në këtë rast e ka mirëqenien e jo aq shumë sa nxënësi i ka përvetësuar njohuritë e caktuara. Pra bile aty në udhëzues thuhet se nota përfundimtare e nxënësit nuk duhet të jetë më e vogël sesa nota e datës 11 mars, pra nuk është qëllimi të penalizohen nxënësit, por që ata të nxiten për të mësuar sa janë në shtëpi. Prandaj edhe vlerësimi do të jetë i organizuar në atë mënyrë. Sa u përket nxënësve të klasave të nënta dhe maturantëve besoj që me zbutjen e masave do ketë mundësi të bëhen këto provime përfundimtare me një organizim më të mirë. Kuptohet duke i sjell nxënësit në grupe më të vogla në shkolla. Ndoshta në prioritet do iu jepet maturantëve, ndërkaq tek klasat e nënta mund të ndodh që të anulohet krejtësisht testi i arritshmërisë meqë ai nuk është diçka që parashihet me ligje dhe besoj që edhe pa e përfunduar testin e arritshmërisë nuk dëmtohen nxënësit shumë. Përsëri konsiderohet se e kanë kryer shkollën”, thotë njohësi i arsimit.

Pupovci foli edhe për mësimi online në nivelin akademik. Ai thotë se meqenëse ka numër të vogël të rasteve pozitiv me COVID-19, do të ketë mundësi që provimet të mbahen edhe në fakultetit, por natyrisht duke respektuar masat e nevojshme.

“Duke e parë progresin e rasteve nuk besoj që do të anulohet viti por më përpara po shkojmë kah zbutja e masave dhe tash kjo bënë të mundur që provimet të mbahen edhe nëpër fakultete por kuptohet duke i respektuar masat e sigurisë me grupe më të vogla, distancën e nevojshme. Nëse do ketë nevojë, gjë që nuk besoj, që provimet të mbahen online, provimet me gojë mund të mbahen pa problem online, tek provimet me shkrim kërkohet një organizim tjetër, sepse aty veçse ekziston mundësia e keqpërdorimeve të ndryshme. Pra, me siguri që atëherë duhet të shqyrtohen opsione. Por sa i përket provimeve online me gojë sidomos mbrojtja e punimeve të diplomës nuk do të duhej të ndaleshin. Ndërsa, çdo mundësi që studentët të vijnë në auditorë dhe tu nënshtrohen provimeve duhet të shfrytëzohen”, thotë Pupovci.

Për shkak të ndërprerjes së mësimit në Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19, që nga 23 marsi i këtij viti ka filluar mësimi online.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.