Me votat e rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka 56 ulëse në Kuvend

Numërimi i votave të rregullta në nivel vendi tashmë ka përfunduar, ku janë numëruar votat e 2 mijë e 382 vendvotimeve.

Sipas rezultateve preliminare bëhet e ditur se Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë e cila në total ka marrë 378.550 e që në përqindje i bie 47,85%, pasohet nga PDK me 137.722 vota apo 17,41%, e treta LDK 103.507 vota apo 13,08% dhe e katërta AAK me 58.743 vota apo 7,43%.

Ndërsa duke u bazuar në këto të dhëna, rezulton se Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka fituar 56 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Formula me të cilën Kuvendi i Kosovës ndan ulëset është “Sainte-Lague”. Pasi që 20 ulëse nga 120 sa janë në Kuvend, janë të rezervuara për minoritetet, partitë shqiptare luftojnë për 100 ulëset tjera.

Ulëset që mbesin “të zbrazëta” si pasojë e përqindjes së votave që shkon për partitë që nuk kalojnë pragun prej pesë për qind, u ndahen partive parlamentare.

Në përllogaritjen aktuale, përqindja e përbashkët e partive që s’kanë kaluar pragun është mbi 14 për qind. Kjo nënkupton që 14 ulëse do të ndahen për katër partitë që kanë kaluar pragun: VV-në, PDK-në, LDK-në e AAK-në.

Rikujtojmë se për votat e diasporës dhe ato me kusht ende nuk ka nisur procesi i numërimit.

RAPORTO