Më shumë se 50 mijë teste për Covid-19 pritet të vijnë në Kosovë

Që nga përhapja e pandemisë së koronavirusit në Kosovë kanë hyrë rreth 30 mijë teste për SARS-Cov-2 (Covid-19) përmes të cilave testohen mostrat e pacientëve. Plus 60 mijë sosh priten të hyjnë ditëve në vazhdim.

20 mijë teste Ministria e Shëndetësisë i ka siguruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe Gjermania, ndërsa 10 mijë teste të tjera kanë qenë donacione nga shtetet tjera evropiane dhe disa të siguruar nga UNDP dhe KFOR.

Kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e Shëndësisë në një përgjigjie për Gazetën Insajderi.

“Prej fillimit të pandemisë, MSh ka siguruar rreth 30 mijë teste për SARS-Cov-2 (Covid-19) përmes të cilave testohen mostrat me RT-PCR. Rreth 20 mijë kanë qenë teste të blera, ndërsa rreth 10 mijë donacione. Shumica absolute e testeve janë të prodhuesve amerikanë, gjermanë dhe anglez, ndërsa donacionet kanë ardhur nga shtete europiane dhe disa të siguruara nga UNDP dhe KFOR-i. Numri i testeve që janë në proces të sigurimit (përmes donatorëve dhe kontributeve të tjera) është rreth dy herë më i madh se numri i testeve që deri tash kanë hyrë në Kosovë që prej fillimit të pandemisë”, thuhet në përgjigjet e MSH-së.

Ndonëse më 17 prill në Kosovë kanë hyrë 1000 teste si donacion nga Serbia në kuadër të bashkëpunimit midis shteteve të rajonit, këto teste nuk janë përdorur.

“Teste e ardhura nga Serbia nuk jane përdorur ende pasi kemi mjaftueshëm”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.