Më shumë se 2.2 milionë mërgimtarë vizituan Kosovën, shpenzuan rreth 1.5 miliard euro
Një numër i madh i mërgimtarëve kanë vizituar Kosovën gjatë vitit që lamë pas. Numri i përgjithshëm i bashkatdhetarëve që kanë vizituar vendin gjatë vitit 2022, është 2 milionë e 274 mijë apo mbi 220 mijë më shumë se në vitin 2021. Megjithatë, numri i bashkatdhetarëve që kanë ardhur për festa të fundvitit, është më i ulët […]
Një numër i madh i mërgimtarëve kanë vizituar Kosovën gjatë vitit që lamë pas.
Numri i përgjithshëm i bashkatdhetarëve që kanë vizituar vendin gjatë vitit 2022, është 2 milionë e 274 mijë apo mbi 220 mijë më shumë se në vitin 2021.
Megjithatë, numri i bashkatdhetarëve që kanë ardhur për festa të fundvitit, është më i ulët për mbi 160 mijë, krahasuar me dhjetorin e vitit 2021.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ka thënë se barrikadat rrugore për dy tri ditë në Serbi dhe inflacioni, mund të kenë ndikuar në rënien e numrit të bashkatdhetarëve për këtë fundvit.
Ndërkohë, përveç remitancave gjatë vitit 2022, sipas raportit të BQK-së, bashkatdhetarët kanë shpenzuar mbi 1.48 miliard euro, gjatë vizitave në Kosovë.
“Nëse i shohim këto statistika dhjetor 2021 dhe dhjetor 2022, deri më 28 dhjetor 2022, shihet se ka një ulje të numrit të bashkatdhetarëve që kanë ardhur, krahasuar me dhjetorin e vitit paraprak.
Kjo rënie ka disa shkaqe, e para për shkak të krizës ekonomike dhe inflacionit, e dyta pengesat potenciale rrugore që kanë mundur t’iu shkaktohen bashkatdhetarëve tanë.
Në këtë drejtim, si total, dallimi mes vitit 2021 dhe 2022, është se këtë vit ka pasur më shumë hyrje se sa në vitin paraprak. Në vitin 2021, kemi pasur rreth 2 milionë e 50 mijë qytetarë, ndërsa në vitin 2022, kanë qenë 2.2 milionë”, tha Gashi për KosovaPress.