Me ose pa vendim, pronarët e pishinave përgatiten për hapje të sezonit

Me ose pa vendim, pronarët e pishinave përgatiten për hapje të sezonit
Çlirim Gashi

05.05.2021 / Lajme

Pronarët e pishinave janë duke u përgatitur për të nisur sezonin veror, ndonëse janë në pritje të përgjigjes nga Ministria e Shëndetësisë nëse lejohet ose jo veprimtaria e këtyre bizneseve në kuadër të masave anti-COVID.

Diamant Paçarizi, kryetar i Shoqatës së Pishinave në Kosovë, ka thënë se kanë kërkuar takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, në prag të nisjes së sezonit, por deri tani nuk kanë marrë përgjigje.

Ai ka ftuar pronarët që t’i hapin pishinat, pasi sipas tij kjo lejohet me vendimin e fundit për këto biznese që Qeveria kishte marrë në shtator të vitit të kaluar.

“Me vendimin e fundit të vitit kaluar të muajit shtator ose tetor, neve na janë liruar masat. Sipas atij vendimi neve na lejohet puna. Ndërsa sa i përket takimit me ministrin, ne kemi kërkuar takim përmes Odës Hoteliere por nuk na është dhënë asnjë përgjigje”, ka thënë Paçarizi.

Ai u ka bërë thirrje pronarëve të pishinave në Kosovë t’i bëjnë përgatitjet për hapje të sezonit, pasi edhe Shqipëria e Mali i Zi po i ftojnë kosovarët për pushime atje.

“Unë i kam bërë thirrje publike të gjithë pronarëve të pishinave në gjithë Kosovën që të fillojnë përgatitjet për këtë sezon, pasi që edhe Shqipëria edhe Mali i Zi po bëjnë thirrje për pritjen e turistëve nga Kosova këtë sezon”, ka thënë Paçarizi për “Zërin”.

Ndryshe, sipas një studimi të fundit nga “Imperial College London”, thuhet se uji me klor i pishinave mund ta bëjë koronavirusin pasiv në vetëm 30 sekonda.

“Ne i kemi kryer këto eksperimente në laboratorët tanë të kontrollit të lartë në Londër. Duke përzier virusin me ujin e pishinës, mund të tregonim se virusi nuk mbijeton në ujin e pishinës”, thotë ndër të tjera studimi.

Javëve të fundit, numri i të infektuarve me koronavirus ka rënë në vendin tonë. Po ashtu, edhe numri i viktimave nga COVID-19 ka pësuar rënie të dukshme.

Sipas IKSHPK-së, sot janë regjistruar katër të vdekur dhe 153 të infektuar me COVID-19.

Deri më tani, në Kosovë janë 105864 të infektuar, 96322 të shëruar dhe 2195 viktima nga koronavirusi i ri.

RAPORTO