Me ose pa marrëveshje me LDK-në, dy javë afat për krijimin e Qeverisë Kurti

20.01.2020

Nëse Albin Kurti arrin të ndërtojë partneritet me LDK-në, Kosova mund të bëhet me Qeveri në javën e parë të shkurtit. Sipas juristit Vigan Qorrolli, pas takimit me Kurtin, presidenti Thaçi duhet ta shpallë dekretin me emrin e të nominuarit për kryeministër. “Brenda afatit dy javor me ose pa marrëveshje me LDK-në, z. Kurti mund […]

Me ose pa marrëveshje me LDK-në, dy javë afat për krijimin e Qeverisë Kurti Foto: Ilustrim

Nëse Albin Kurti arrin të ndërtojë partneritet me LDK-në, Kosova mund të bëhet me Qeveri në javën e parë të shkurtit.

Sipas juristit Vigan Qorrolli, pas takimit me Kurtin, presidenti Thaçi duhet ta shpallë dekretin me emrin e të nominuarit për kryeministër.

“Brenda afatit dy javor me ose pa marrëveshje me LDK-në, z. Kurti mund të shkoj në Kuvend dhe ta kërkoj votimin e Qeverisë së tij në koalicion me minoritetet. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë presidenti e udhëheq edhe një raund negociatash me të gjitha partitë parlamentare duke përfshirë edhe VV-në dhe të kërkoj një mandatar tjetër – kësaj radhe z. Kurti nuk mund të jete mandatar. Nëse edhe pas 10 ditësh pas nominimit të një kandidati tjetër nuk ka qeveri, atëherë shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka sqaruar Qorrolli.

Në një videomesazh të publikuar mëngjesin e së hënës, Kurti ka ftuar LDK-në për marrëveshje.

“Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata nuk e kanë propozimin ofertën tonë të fundit, ndonëse ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra qasja ‘merre ose lëre’ do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkëte dhe arritjen e marrëveshjes sonë”, ka thënë Kurti në mesazh.

KY ËSHTË MESAZHI I PLOTË I KURTIT

Ne sot po e dërgojmë propozimin tonë me shkresë te Presidenti. Sekretarja jonë organizative, Vlora Haxhimehmedi, do ta bëjë këtë.

Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternativave tjera që do ishin të pranueshme për të dy palët.

E theksoj përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja “Merre ose lëre”, do të thotë lëre.

Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë.

Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi marrë madatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi, e që vendit i duhet me aq urgjencë. As më shumë e as më pak.

E kemi filluar duke e çliruar nga kapja, udhëheqjen e Kuvendit: nuk është më aty ai Pronto kryeparlamentari që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri, Glauk Konjufca.

Unë besoj se ne mund të kthehemi e duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve.

Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave.

Ju falemnderit e mirupafshim.