Më 5 qershor nis fushata “Ta pastrojmë Kosovën 2020”

26.05.2020

Organizata “Let’s Do It” në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Ambientit dhe me mekanizmat e tjerë relevantë, si dhe në bashkëpunim me të gjitha komunat e Kosovës, ka njoftuar se do të nisë fushatën “Ta pastrojmë Kosovën 2020”, e cila do të shënohet më 5 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit dhe do […]

Më 5 qershor nis fushata “Ta pastrojmë Kosovën 2020” Foto: Ilustrim

Organizata “Let’s Do It” në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Ambientit dhe me mekanizmat e tjerë relevantë, si dhe në bashkëpunim me të gjitha komunat e Kosovës, ka njoftuar se do të nisë fushatën “Ta pastrojmë Kosovën 2020”, e cila do të shënohet më 5 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit dhe do të vazhdojë deri më 19 shtator – në Ditën e Pastrimit të Botës.

Gjatë kohës së pandemisë COVID-19 “Let’s Do It” thotë se ka monitoruar në vazhdimësi gjendjen e deponive ilegale të mbeturinave në terren dhe, përveç kësaj, ka pranuar edhe raportime të shumta nga qytetarët në lidhje me këtë gjendje dhe se numri i deponive ilegale të mbeturinave në terren është rritur dukshëm.

“Kjo fushatë ka për qëllim që t’i mobilizojë komunat për të organizuar aksione gjithandej vendit për pastrimin e deponive ilegale të mbeturinave, të krijuara sidomos gjatë kohës së pandemisë COVID-19, të ngritë vetëdijen e qytetarëve për ruajtjen dhe për mbrojtjen e mjedisit në përgjithësi, duke i bërë ata që të kuptojnë korrelacionin (marrëdhënien) që ekziston në mes të shëndetit tonë e atij publik dhe gjendjes së mjedisit, në të cilin ne jetojmë”, ka thënë kjo organizatë në njoftimin dërguar medieve.

Të gjitha aktivitetet e “Ta pastrojmë Kosovën 2020” organizata thotë se janë planifikuar të zhvillohen në përputhje me situatën dhe me rrethanat e krijuara nga pandemia COVID-19, nën respektimin dhe nën zbatimin e plotë dhe të përpiktë të të gjitha masave dhe udhëzimeve për mbrojtje (ruajtja e distancës dy metra, vendosja e maskës dhe dorezave, pastrimi i duarve me shampon ose dezinfektimi i tyre), duke mos e rrezikuar shëndetin e askujt. Pandemia do të kalojë, por rreziku për përhapjen e epidemive të reja nga deponitë ilegale të mbeturinave është prezent përderisa këto nuk eliminohen (pastrohen) dhe nuk parandalohen.

Po ashtu “Let’s Do It” i fton të gjithë individët, si dhe bizneset e organizatat që t’i bashkohen fushatës “Ta pastrojmë Kosovën 2020”, që secili në komunën e tij ose të saj të kontribuojë për të mirën e vendit.