Më 5 nëntor, duke filluar nga ora 12:00, nga Sheshi “Skënderbeu”, mbahet marshin me moton “Një Popull për Drejtësi.
Marshi mbahet në 3 vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit, në rrethana ende të pasqaruara.
Marshi “Një Popull për Drejtësi” që ka gjetur mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile, personave publik dhe organizatave politike të nënshkruara më poshtë:
Më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të pasqaruara deri më sot ka vdekur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Kanë kaluar 3 vjet të drejtësisë së munguar që është kthyer në padrejtësi për familjen Dehari dhe gjithë shoqërinë tonë.
Publikimi i të gjeturave të raportit të ekspertëve të mjekësisë ligjore nga Qendra Universitare Romande për Mjekësi Ligjore në Lozanë (CURML) të Zvicrës i ka dhënë të drejtë kërkesës së familjes Dehari për hetim të ri mbi rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së dhunshme së Astrit Deharit. Raporti shprehimisht rrëzon hipotezën e ngritur për vetëvrasje nga Prokurori i rastit dhe bën thirrje për hetim të ri duke përfshirë hetimin e mundësisë së përfshirjes së personave të tjerë në vrasjen e tij.

Ne, organizatat dhe personat e poshtë nënshkruar, kërkojmë ndriçimin e plotë dhe sa më të shpejtë të rrethanave të vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit. Kjo duhet të bëhet nga hetues dhe prokuror kredibil, të pavarur dhe profesional. Udhërrëfyes i këtij hetimi të ri duhet të jenë të gjeturat e ekspertëve nga Instituti i Lozanës. Objekt i hetimit dhe llogaridhënies duhet të jenë personat përgjegjës në gjithë zinxhirin institucional nga Qeveria, Policia, Drejtoria e Burgjeve, Prokuroria dhe Departamenti i Mjekësisë Ligjore.
Sot si vajza, djem, motra dhe vëllezër, prindër e familjar, si qytetarë shprehim revoltën tonë për dështimin e institucioneve të Kosovës që të mbrojnë jetën e Astrit Deharit gjatë paraburgimit dhe mungesën e hetimit adekuat për të sqaruar drejt dhe plotësisht rrethanat e vdekjes së tij.
Kërkesat e Marshit për Drejtësi drejtuar institucioneve të Kosovë janë:
1. Caktimi i grupit të ri hetimor kredibil si dhe bartja e rastit nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;
2. Shkarkimi dhe hetimi i të gjithë personave përgjegjës në gjithë zinxhirin institucional nga Qeveria, Policia, Drejtoria e Burgjeve, Prokuroria dhe Departamenti i Mjekësisë Ligjore; dhe
3. Fillimi i menjëhershëm i një hetimi të ri kredibil, transparent, të pavarur dhe profesional mbi rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, si dhe hetimin e rrethanave të vdekjes së dëshmitarit kryesor të rastit, shokut të tij të dhomës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Naser Makolli.