Çlirim Gashi
02.04.2019, 9:32

Mbyllja e kazinove me efekt pozitiv në ekonomi

Me një seancë të jashtëzakonshme Kuvendi mori vendim që lojërat e fatit duke përfshirë bastore, kazino, etj, të mbyllen me një periudhë kohore 10 vjeçare. Por, si duket ky vendim ka qenë pozitiv për ekonominë e vendit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, për Radio Kosovën ka thënë se nëse luftohen dukuritë negative siç është informaliteti, atëherë mbyllja është në rregull, por nëse nuk është analizuar mirë procesi, mund të ketë efekte anësore.

“Si për lojëra të fatit si për çdo ligj tjetër ne jemi gjithmonë të ketë një proces të analizave, mos të merren vendime ad-hoc dhe kjo po i mungon vendimmarrjes në Kosovë. Ndonjëherë nën euforinë e momentit po merren vendime. Dhe a duhet të ketë një kontroll të lojërave të fatit, edhe kjo besoj se është dashur shumë më herët të ndodhte, sepse është konsideruar se një pjesë e madhe e dukurive negative lidhen me lojërat e fatit”, tha Rukiqi.

Kurse eksperti i ekonomisë, Nagip Skenderi, po për Radio Kosovën ka thënë se lojërat e fatit kanë më shumë efekte negative se sa pozitive në popullatë, por edhe në ekonominë e vendit, raporton RTK.

“Konsideroj që mbyllja do të ishte në këto moment më mirë se sa p.sh. fitimi, sepse po shihet që kemi jo-siguri, kemi persona të moshës nën 18 vjeç. Në këtë kontekst, konsideroj që më me leverdi do të ishte mbyllja e tyre se sa përfitimi ekonomik”, ka thënë Skenderi.

Gjatë vitit të kaluar, Administrata Tatimore ka mbledhur rreth 17 milionë euro akcizë e gjoba nga lojërat e fatit. Kryeministri Haradinaj ditë më parë nuk kishte shprehur ndonjë shqetësim me humbjen e buxhetit pas mbylljes, sepse, sipas tij, ato para të qytetarëve që kanë përfunduar në ato lojëra, do të përfundojnë në sektorë të tjerë të ekonomisë. Me këtë konstatim pajtohet edhe profesori i fakultetit ekonomik, Nagip Skenderi.

“Pikërisht ekzistojnë edhe sektorë të ndryshëm, qoftë nga ekonomia prodhuese, qoftë nga ekonomia shërbyese, ku shuma e njëjtë e futjes së kapitalit fillestar, 2 milionë euro sa nevojitet si kapital themelues për lojëra të fatit, mund të gjejë veten në një biznes që është shumë fitimprurës, i pastër që nuk rrezikon shëndetin, nuk rrezikon mirëqenien sociale”, ka thënë Skenderi.

Ndryshe, edhe pse në pjesë të ndryshme të vendit mund të shihen shumë kazino, sipas Administratës Tatimore, në Kosovë nuk ka asnjë biznes të licencuar të kazinove.

ATK ka të licencuara vetëm veprimtari të basteve, automate si dhe bingo, që gjithsejtë janë 46 subjekte.

Por, ky numër nuk përputhet me të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, ku numri i bizneseve të regjistruara në veprimtarinë e lojërave të fatit është 342 aktive.