Mbyllen rrugët e kontrabandës në veri të vendit

24.02.2022

Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike në parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe bazuar në kërkesën e Doganës së Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit në zonën kufitare të rajonit të Prishtinës (Podujevë), Mitrovicës Veri (Leposaviq, Zubin Potok) si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e […]

Mbyllen rrugët e kontrabandës në veri të vendit Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike në parandalimin dhe luftimin e krimit si dhe bazuar në kërkesën e Doganës së Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit në zonën kufitare të rajonit të Prishtinës (Podujevë), Mitrovicës Veri (Leposaviq, Zubin Potok) si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut (Viti, Gjilan), ka realizuar operacionin policor në parandalim dhe luftim të kontrabandës dhe dukurive tjera kriminale.

Ky operacion policor ka pasur për qëllim, luftimin dhe parandalimin e kontrabandës, mbajtjen e rendit, qetësisë e sigurisë publike si dhe zbatueshmërinë e ligjit.

Përveç tjerash Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante të përfshira në këtë operacion policor, ka ndërmarr masat e nevojshme preventive për të parandaluar dhe pamundësuar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga ana e personave të dyshuar, të cilët dyshohet se me mjete të ndryshme kanë shfrytëzuar rrugët ilegale në brezin kufitar që lidhë Republikën e Kosovës me Serbinë dhe Republikën e Kosovës me Republikën e Maqedonisë së Veriut, për kryerje të aktiviteteve kriminale dhe kontrabanduese.

Policia e Kosovës në këtë operacion policor ka përdorur të gjithë mekanizmat ligjor, autorizimet dhe kompetencat policore, pajisjet dhe njësitet e ndryshme policore për të zbatuar ligjet pozitive, mbrojtjen e rendit Kushtetues, parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe dukurive tjera kriminale.

Angazhimi, përkushtimi drejt realizimit të objektivave strategjike nga Policia e Kosovës do të vazhdojë, për të parandaluar aktivitetet kriminale, kontrabandën dhe krimin transkufitar, me qëllim të krijimit të një klime më të qetë dhe me të sigurt të qytetarëve, e në veçanti të atyre që jetojnë në afërsi të brezit kufitar.