Për katër dekadat e fundit, qyteti i Prizrenit në Kosovë ka pasur një dyshe të pazakontë të grumbullimit të mbeturinave: 66-vjeçarin Nexhmedin Berisha dhe kalin e tij.
Pesë ditë në javë, ata ecin lart e poshtë rrugëve të ngushta me kalldrëm të lagjes së vjetër nënkala, duke i kthyer në heronj vendas, raportojnë mediat sllovene.
Asnjë automjet nuk mund të ngjitet në rrugët e pjerrëta të kësaj pjese të qytetit, që ndodhet 85 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Prishtinë. Prizreni është qyteti i dytë më i populluar në Kosovë.
Berisha mbledh thasë me mbeturina nga çdo shtëpi, një lagje që shpesh quhet “çereku i dritareve”, sepse shtëpitë janë ndërtuar shumë afër njëra-tjetrës.
“Kishte shumë probleme gjatë pandemisë, por ky njeri gjithmonë vinte tek ne për mbeturina. Ai është një njeri i rëndësishëm për njerëzit e kësaj lagje. Jemi shumë të kënaqur,” tha Pash Moneka, një banor i kësaj lagje të Prizrenit. Të kënaqur me punën e tij janë edhe autoritetet lokale, transmeton SuharekaOnline.
“Këtë punë kam 44 vjet. Vetëm një kalë mund të ecë në këto rrugë”, thotë Berisha. “Nuk jam ndalur kurrë, pa marrë parasysh borën apo shiun. Nuk kam pushuar kurrë së punuari. As me njerëzit nuk kam pasur probleme”, shton ai.
Mbledhja e mbeturinave, megjithatë, nuk është aspak shërbimi i vetëm që e ka kthyer Berishën në një hero vendas. Arka në shpinën e kalit të tij nuk është pothuajse kurrë bosh, pasi përmban furnizime që Berisha i blen në qytet për pensionistët në lagjen e tij.
Dhe sa pagë merr ai për punën e tij të rëndësishme? 210 euro në muaj, për fat të keq.