​Mbledhja e Këshillit të Sigurimit, kritika e aleatëve konsiderohet shqetësuese

09.02.2024

Një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua për Kosovën, opozita dhe analistët politikë shprehën të shqetësuar, siç thonë për kritikat që Kosova mori për ndalimin e përdorimit të dinarit serb, ndërkaq nga partia në pushtet, e vlerësojnë si pozitiv përfaqësimin e kryeministrit Albin Kurti, derisa thonë se miqtë dhe aleatët e Kosovës duhet të mirëkuptojnë qasjen për zbatimin e Kushtetutës së Kosovës në tërë territorin e vendit.

​Mbledhja e Këshillit të Sigurimit, kritika e aleatëve konsiderohet shqetësuese Foto: Ilustrim

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se Kosova duhet të pranojë kërkesën e aleatëve ndërkombëtarë për një periudhë kalimtare për zbatimin e rregullores së BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.

Ajo kërkon nga kryeministri Albin Kurti që të anashkalojë, siç i konsideron ajo populizmat, por të koordinohet me aleatët dhe miqtë ndërkombëtarë.

“Të dy palët janë munduar me argumentu, qoftë Serbia që ka qenë thirrëse e seancës së Këshillit të Sigurimit, ndërkaq Kosova me e mbrojt realitetin. Sugjerimet ishin të njëjta, ato që po i dëgjojmë këto ditë nga aleatët tanë që duhet të bashkëveprohet. Ajo çka po kërkohet është një periudhë kalimtare për zbatimin e rregullores së BQK-së, për shkak që qytetarët të informohen. Për neve është shqetësues moskoordinimi me aleatët tanë. Moskoordinimi na ka sjell në situatën që gjendemi”, thotë ajo.

Por të kundërtën e thotë deputeti i LVV-së, Driton Hyseni.

Sipas tij, pavarësisht reagimeve të aleatëve, vendimi i BQK-së për dinarin nuk mund të paraqesë ndonjë problem që të shkojë deri në përkeqësimin e raporteve me të njëjtit.

“Konsideroj se është e nevojshme të saktësohet një gjë, se pavarësisht këndvështrimeve që mund të kemi me aleatë tanë, ne qëndrojmë në të tilla frekuenca që ecja përpara me aleatët tanë është rruga e vetme që ne si zyrtarë të shtetit e shohim ecjen e shtetit përpara”, thekson Hyseni për KP.

Në anën tjetër, analisti politik, Arbnor Sadiku tha se vet thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t’u diskutuar për një vendim të Kosovës ka qenë në disfavor të vendit.

Sipas tij, fjalimi i kryeministrit ka qenë në rregull, por reagimet dhe kritikat e aleatëve të Kosovës për vendimin për dinarin tregojnë se i njëjti është marrë pa koordinim.

Kurse, analisti tjetër politik, Dorajet Imeri, thotë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit u vu në pah edhe përgjegjësia që Serbia do bartë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ndërkaq potencoi nevojën që Kosova të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë.

“Serbia do të mbahet përgjegjëse për veprimet e bëra, ndërkaq nga Kosova nuk duhet të ndodh të ketë veprime të pakoordinuara me bashkësinë ndërkombëtare. Këto janë dy nga gjërat më të rëndësishme të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thekson ai.

Krahas kritikës për vendimin e Kosovës për dinarin, aleatët ndërkombëtarë dje në Këshillin e Sigurimit kërkuan që Kosova dhe Serbia të rikthehen në dialog dhe të zbatojnë obligimet e marra.