Normalizimi i situatës me pandeminë COVID-19, bëri që gjatë tetorit dhe fillimit të nëntorit interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar të ishte më i ultë, ndërkaq Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të lehtësojë procedurën për vaksinim.
Mundësia që qytetarët të vaksinohen pa termin, shpërndarja e ekipeve mobile në qendra tregtare dhe aprovimi për të lejuar vaksinimin e fëmijëve nga 12 deri në 15 vjeç janë tri vendimet e marra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë javës së parë të tetorit.
MSh-ja ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë dhënë 2 mijë e 646 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërkaq prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1 milion e 578 mijë e 22 doza të vaksinës.
Ministria e Shëndetësisë ka vlerësuar se tashmë një numër i konsideruar i qytetarëve të grup-moshave të ndryshme janë vaksinuar kundër COVID-19 dhe kjo e bën edhe më të lehtë menaxhimin e procesit të vaksinimit në çdo qendër, ku përmes ekipeve të vaksinimit në dispozicion, ka kapacitete për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve për vaksinim.
Ndërsa, deri më sot 737.475 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës anti-COVID.
Prandaj, është marrë vendim që qytetarët duke filluar nga e premtja të mund të vaksinohen në cilëndo qendër të vaksinimit në Kosovë, pa termin të caktuar paraprakisht.
“Qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit kudo në Kosovë, pavarësisht se cilës komunë i takojnë me vendbanim”, thuhet në njoftimin e MSH-së.