Mbi 6 mijë të regjistruar si të papunë për të përfituar nga pakoja emergjente të Qeverisë

Drin Haraçija, drejtor i Agjencisë së Punësimit, ka thënë se mbi 6 mijë persona janë regjistruar deri më tani si të papunë për të përfituar nga pakoja e Qeverisë, por sipas tij ky numër është edhe më i madh.

Ai ka thënë se përfitues nga kjo pako janë vetëm familjet që s’kanë të hyra.

“Bazuar në masën 15 parashikohet që të përfitojnë ajo familje që s’ka asnjë të punësuar. Me këtë rast nënkupton se një anëtar i familjes ka të drejtë të përfitojë. Ndërsa njëri ndër kriteret për të përfituar është edhe regjistrimi si i papunë. Kurse duhet të plotësohet edhe një formularë dhe nga ditë e premte do të jetë online për t’u plotësuar”, ka thënë Haraçija.

Ai ka treguar se deri më tani janë regjistruar mbi 6 mijë persona.

“Mbi 6 mijë persona janë vendosur në sistem, por ky numër është edhe më i lartë, pasi ne kemi tri metoda të regjistrimit. E para është online, e dyta është përmes dërgimit të emailit tek udhëheqësi i Zyrës së Punësimit në zyrën përkatëse dhe metoda e tretë ka qenë aplikimi fizik, të cilin nga java e kaluar e kemi ndaluar për shkak të numrit të madh që kanë ardhur për t’u regjistruar dhe kanë krijuar turma”, ka thënë Haraçija. “Deri tani ka numër të madh të aplikacioneve dhe ky numër do të jetë shumë më i madh se 6 mijë”, ka thënë ai për KTV.

“Nëse e shikojmë pakon prej fazës së parë çdo gjë është e qartë, ato janë familje që s’kanë asnjë të hyrë. Ato që kanë përfituar nga skemat e ndryshme sociale, pensionale, apo ndonjë familjar merr ndonjë pension të ndonjë forme s’kanë të drejtë të përfitojnë nga kjo skemë. Prandaj ju bëj apel që t’i shikojnë ato”, ka thënë ai.

Ai thotë se do të ketë kontrolle shtesë për të verifikuar këto të dhëna të të regjistruarve.

“Pas aplikimit këto të dhëna do të krahasohen me agjencionin e punësimit për të shikuar nëse ata persona të regjistruar janë të papunë. Por, edhe me atë tatimore nëse kanë të hyra në çfarëdo forme. Por, do të krahasohen edhe me ato të Regjistrimit civil për të shikuar trungun familjar, pasi është detyrë e të gjithëve të ruhen paratë e taksapaguesve. Pra, është shumë e qartë se përfiton vetëm një anëtar i familjes, nëse nuk ka asnjë të hyrë. Mendoj se kjo është një kontroll e mirë, megjithatë do të rishikohen përsëri”, ka thënë Haraçija.

RAPORTO