Mbi 208 mijë vetura të paregjistruara në Kosovë, sfidë anëtarësimi për Kartonin e Gjelbër
Anëtarësimi në Këshillin e Byrove Evropiane është njëra ndër përpjekjet kryesore të autoriteteve në Kosovë. Anëtarësimi në Këshillin e Byrove Evropiane, siguron Kartonin e Gjelbër, por këto përpjekje nga autoritetet kosovare po sifdohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në […]
Anëtarësimi në Këshillin e Byrove Evropiane është njëra ndër përpjekjet kryesore të autoriteteve në Kosovë.
Anëtarësimi në Këshillin e Byrove Evropiane, siguron Kartonin e Gjelbër, por këto përpjekje nga autoritetet kosovare po sifdohen nga dy probleme thelbësore.
Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë, ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër, vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).
Por, përveç mosanëtarësimit të Kosovës në OKB, problem mjaft serioz paraqet numri i automjeteve të paregjistruara.
Çdo herë është kërkuar përkushtim nga drejtoria e Policisë Rrugore të Kosovës dhe po ashtu edhe të institucioneve tjera shtetërore që kjo çështje të rregullohet si në vendet e Bashkimit Evropian.
Fokusi aktual i BKS-së është në uljen e këtij numrit të veturave të paregjistruara, pasi që paraqitet si një prej parakushteve teknike për anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër.
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku për EkonomiaOnline ka bërë të ditur se deri më tani në vendin tonë numri i automjeteve të paregjistruara është 208 mijë e 100 apo 30 për qind (%) e automjeteve në vend që nuk kanë regjistrim.
Megjithatë për të ulur numrin e veturave të paregjistruara Mazreku ka përmendur disa lehtësira, siç janë ndryshimi i pagesës së taksës në komunë si dhe të ndryshojë bartja e pronësisë.
“‘Shqetësues është se vitin e kaluar në muajin mars kur e kam publikuar lajmin e parë kanë qenë 128 mijë vetura në sistem të paregjistruara kurse para një muaji në publikimin e radhës që e kemi bërë ka dal që kanë 208 mijë e 100 vetura. Ajo çka kemi kërkuar edhe po kërkojmë që bashkërisht duhet të punojmë që ti heqim disa barriera për regjistrimin e veturave dhe ky numër të ndryshojë”.
“Ne e dimë që në këtë numër një pjesë e madhe janë nga viti 2000-2007. Heqja e kurzimeve, ndryshimi i pagesës së taksës në komunë, bartja e pronësisë të ndryshojnë dhe përfundimisht të krijojmë lehtësime sepse në këtë mënyrë e ulim numrin e automjeteve të paregjistruara”.
Mes tjerash Mazreku ka potencuar se këto probleme mund të zgjidhen në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
“Kjo është problem sepse Kosova nuk është pjesë e OKB-së, ajo çka po bëjmë na nuk po duam zgjidhjen e problemit politik por po mendojmë se kemi zgjedhje alternative, dhe është që ne mi bë këto detyra dhe lehtësime në mënyrë që me ndërrua shifrat”.
Ndërsa Byroja paguan 5 deri në 7 milionë euro dëme për veturat e paregjistruara. Mazreku tha se është kundër që të jetë kusht pagesa e gjobës në mënyrë që të mund të regjistrohet vetura, raporton EO.
“Me dinamikën që është duke punuar qeveria dhe ndryshimet janë të mundshme me ndodh gjatë këtij viti, dhe këto jo vetëm që ndikojnë në raport me jashtë por edhe me brenda për shkak se humbjet janë milionëshe për shtetin dhe industrinë e sigurimeve dhe 5 deri në 7 milionë euro paguajmë dëme për këto vetura”.
“Asnjëherë ne nuk jemi kundër pagesave së gjobave por jemi kundër kurzimit të gjobave në regjistrimin e veturave, dhe kemi thënë që ligji për automjete duhet me u ndryshuar, gjobat duhet me u hekë si kusht dhe ne kemi përmbarues”.
Sidoqoftë, deri tek anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove të Evropës, të gjitha veturat me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës, sipas ligjeve në fuqi, duhet të paguajnë një shumë për tarifat e sigurimeve kufitare, varësisht nga lloji i automjetit dhe koha e qëndrimit në Kosovë.
Sipas të dhënave të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të hyrat nga primet e Sigurimit Kufitar për vitin 2019, kanë qenë rreth 7.7 milionë euro, kurse pagesa e dëmeve të paguara për periudhën e njëjtë rezulton vlerën prej 7.9 milionë eurosh.