Mbi 13 mijë aplikime për shtesa të fëmijëve e mbi 11 mijë për lehonat

17.09.2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, para një jave përmes një konference për media kanë prezantuar programin për pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijë. Në fjalën e tij Murati ka bërë të ditur se qëllimi i këtyre masave janë fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri. Rrjedhimisht […]

Mbi 13 mijë aplikime për shtesa të fëmijëve e mbi 11 mijë për lehonat Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, para një jave përmes një konference për media kanë prezantuar programin për pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijë.

Në fjalën e tij Murati ka bërë të ditur se qëllimi i këtyre masave janë fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri.

Rrjedhimisht në bazë të programit pagesat do të ekzekutohen për lehonat mbi 18 vjeç që kanë lindur nga data 1 gusht, ku lehonat e papunësuara do të paguhen 6 muaj në vlerë të pagës minimale dhe të gjitha lehonat e punësuara do të marrin 3 muaj në vlerë të pagës minimale.

Ndërsa sa i përket shtesave për fëmijë nga data 1 shtator të gjithë fëmijët e grupmoshës 0-24 muaj që kanë lindur nga 1 janari 2021 do të marrin 20 euro në muaj, dhe fëmijët mbi 24 muaj deri në 16 vjeç do të marrin 10 euro në muaj.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se deri tani janë regjistruar mbi 13 mijë aplikime për shtesa për fëmijë dhe mbi 11 mijë për lehonat.

“Filluam me zbatimin e masës 3.5 për mbështetje për lehonat dhe shtesat për fëmijë – mbi 13 mijë aplikime, janë regjistruar edhe mbi 11 mijë për lehonat dhe 1 679 shtesa për fëmijë”, ka thënë Kurti gjatë një konference.

Po ashtu ky vendim parasheh përfshirjen edhe të lehonave të punësuara, krahas atyre të papuna, për mbështetje financiare, që do të ofrohet nga Qeveria, me qëllim të fuqizimit të mëtutjeshëm të grave në tregun e punës.

Ndaj këtij vendimi ka shprehur pakënaqësi organizata QIKA, sepse, sipas saj, ky vendim është antifeminist, pasi e shfaq mentalitetin diskriminues se kujdesi ndaj fëmijëve është obligim vetëm i grave.

Ndryshe, sa i përket shtesave të fëmijëve, ministri Murati ka theksuar se nga 1 janari i vitit 2022 do të shtohen edhe grupmoshat e tjera, ka shtuar Murati. Të gjitha pagesat do të ekzekutohen në xhirollogari të nënave dhe aplikimi bëhet në platformën eKosova.