Mungesa e teksteve shkollore, MASHTI nuk ka dërguar sasinë e kërkuar të librave nëpër komuna
Ministrja Nagavci ka theksuar se ka dërguar komisione, me qëllim që të bëjnë vizita nëpër shkolla si dhe sipas informacioneve ku ka pasur raste kur Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave. Po ashtu, Nagavci ka thënë se […]
Ministrja Nagavci ka theksuar se ka dërguar komisione, me qëllim që të bëjnë vizita nëpër shkolla si dhe sipas informacioneve ku ka pasur raste kur Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave.
Po ashtu, Nagavci ka thënë se disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent.
Ministrja e Arsimit ka shtuar se janë të gatshëm që të përmbushin kërkesat, nëse ka pasur lëshime nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
“Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, shkruan Nagavci.
“Nëse ka pasur ndonjë mos përmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm t’i plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”, shkruan Nagavci.
Por, një gjë e tillë e thënë nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavaci, e ka kundërshtuar kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Ibrahimi ka deklaruar për Telegrafin se mungesa e teskteve shkollore është për shkak se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nuk e ka dërguar sasinë që i kanë kërkuar komunat.
Po ashtu, i pari i AKK-së ak deklaruar se te furnizmi me tekste shkollore për klasat 6-9 komunat kanë bërë formimin e komisioneve të duhura për pranimin e teksteve shkollore, tekste këto të dorëzuar nga MASHTI.
Sazan Ibrahimi ka sqaruar se ministria e Arsimit ka informuar komunat që nuk do të ketë furnizim me tekste këtë vit për nivelin parashkollor si dhe për klasat 6 deri 9.
Më tej, Ibrahimi ka theksuar se për klast 6 deri 9 është kërkuar që tekstet të barten nga gjenerata në gjeneratë.
“Vetëm për klasën e 7 janë dy libra alternativë të rinj që do të sigurohen nga MASHTI. Dhe për klasën e 8 janë libra të gjithë të rinj që MASHT do t’i sigurojë”, ka thënë ai.
Përveç kësaj, ai ka deklaruar se nga komunat e vendit është kërkuar që kërkesat për furnizime me tekste shkollore ta plotësojnë katalogun brenda 5 ditëve afat.
“Të gjitha obligimet që burojnë nga legjislacioni në fuqi sa i përket shpërndarjes së teksteve shkollore e që bien në kompetencë të komunave janë kryer në plotni. Për përgjegjësit e veta MASHT nuk mund të fajësoj komunat”, thotë ai për Telegrafin.
Tutje ai shtoi se “problemi qëndron në atë që librat e siguruar nga gjenerata paraprake ose janë të dëmtuar apo edhe nxënësit nuk i kanë kthyer në shkolla, që do të thotë mungon një numër i teksteve për klasat 6, 7, 9”.
Ndryshe, më poshtë mund ta gjeni postimin e plotë të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për sa i përket deklarimeve lidhur me ankesat e shumta për mungesë të teksteve shkollore.
“Ditëve të fundit kam pranuar ankesa të shumta në lidhje me mungesën e disa teksteve shkollore.
Andaj, ju informoj se më 15 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjitha Drejtoritë komunale të Arsimit se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin I-5 dhe për nxënësit e klasës së 8, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7 si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge.
Njëkohësisht, MASHTI i ka njoftuar DKA-të se sipas udhëzimit Administrativ nr.13/2016, tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak andaj shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor.
Bazuar në kërkesat që i kanë bërë komunat, MASHTI i ka kontraktuar shtëpitë botuese dhe e ka bërë shpërndarjen e teksteve shkollore.
Pra, shpërndarja e teksteve është bërë në respektim të plotë të kërkesave që kanë ardhur nga Drejtoritë Komunale të Arsimit.
Ju informoj se si Ministri, nuk kemi pranuar asnjë ankesë në raport me tekstet shkollore nga Drejtoritë Komunale të Arsimit.
Pas pranimit të shqetësimeve nga ana e prindërve dhe njoftimeve nga disa mësimdhënës, kam dërguar disa komisione që të bëjnë vizita në shkolla për t’u siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nga DKA-të është realizuar në bazë të kërkesave të parapara.
Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik).
I inkurajoj shkollat dhe DKA-të që ta marrin me prioritet trajtimin e çështjes së teksteve mësimore dhe të sigurohen që të gjithë nxënësit ti kenë tekstet e të vazhdojnë procesin mësimor.
Nëse ka pasur ndonjë mos përmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm ti plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”.