Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) nuk po pranon që orët e humbura nga greva të kompensohen madje ende po vazhdohen përplasjet për këtë vendim që e mori Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

SBASHK-u përsëri sot mori vendim që orët e humbura nuk do të kompensohen, dhe sipas kryetarit të kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, tha se ligji mbi grevat bie ndesh me vendimin që e mori MASHT-i.

SBASHK-u dje në orët e pasditës kishe mbajtur një takim me të gjithë kryetarë e sindikatave komunale të arsimit parauniversita dhe kryetarin e SUSHK-ut dhe se ky takim kishe për bazë kërkesën që të zbatohet vendimi i SBASHK-ut për mos kompensimin e orëve të humbura.

“SBASHK dje në orët e pasdites ka mbajtur një takim me të gjithë kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar dhe kryetarin e SUSHK-ut, nga i cili takim në mënyrë unanime u kërkua që të zbatohet vendimi i Këshillit Drejtues i SBASHK-ut që orët e humbura gjatë grevës mos të zëvendësohen as të shtunave, as pushimit pranveror e as në fund vitit”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Arbër Geci, këtë qëndrim të SBASHK-ut po e konsideron të pa kuptimtë, duke thënë se mos kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës 3 javëshe, dëmtohen nxënësit.

“Ministria e Arsimit ka marrë një vendim për zëvendësimin e orëve të humbura dhe e ka planifikuar zëvendësimin e orëve në mënyrën më të mirë që ka qenë e mundur. Vendim është në fuqi dhe është detyrë e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe drejtorëve të shkollave që ta zëvendësojnë orët e humbura. Për ne qëndrimi i SBASHK-ut është i pakuptimtë, pavarësisht që ata thirrën në atë se nxënësit sipas kontratës e kanë obligative që t’i mbajnë 20 orë mësimore gjatë javës, ekziston edhe një afat i kohëzgjatjes së gjysmë vjetorit dhe i normës së caktuar të orëve mësimorë që duhet mbahen dhe një planprogram i caktuar i cili zbatohet”, ka thënë Geci.

Po ashtu, ai tha se vendimi i MASHT-it është në fuqi dhe duhet të respektohet, derisa për SBASHK-un tha se kjo sindikatë ka arritur objektivat e saj përmes grevës.

“3 javë të humbura janë jashtëzakonisht shumë për të humbur në procesin e rregullt mësimor dhe kështu siç SBASHK-u ka të drejtë kushtetuese grevën, ashtu edhe nxënësit e kanë të drejtë kushtetuese edukimin. Kështu që SBASHK-u ka arritur objektivat e veta përmes grevës dhe besojmë që pjesa tjetër është shumë e ndjeshme. Ne e kemi obligim që të marrim vendime të cilat janë në interes të nxënësve dhe procesit mësimorë. Vendimi i ministrisë është në fuqi, është vendim ligjor dhe obligativ dhe duhet të zbatohet”, ka thënë Geci për lajmi.net.

Po ashtu ai tha se kjo është detyrë e Drejtorive Komunale të Arsimit, e Inspektoratit të Arsimit që të mbikqyret se a po kompensohen orët e humbura nëse jo atëhet do të merren masa ndëshkuese.

“Është detyrë e Drejtorive Komunale të Arsimit, e Inspektoratit të Arsimit që të mbikëqyrë mbarëvajtjen e orëve të humbura, nëse nuk ndodh, normalisht duhet dhënë raportet për orët që zëvendësohen apo orët që nuk zëvendësohen dhe normalisht janë aktet tjera që i mbikëqyrin komunat dhe është në kompetencë të drejtorive komunale që të përkujdesën që orët humbura të plotësohen”, tha ai.

Nuk është çështje as e dëshirës dhe as e inateve është çështje e interesit të nxënësve sepse është humbur një kohë e shumë gjatë, dhe kjo pa dyshim ndikon në cilësinë e arsimit”, ka thënë tutje Geci.