Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë ditës së djeshme ka mbajtur një takim virtual me kryetarët e komunave, ku është diskutuar rreth masave të reja që pritet të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka dhënë detaje nga takimi që ka pasur ministri Vitia me kryetarët e komunave, sipas AKK-së i pari i ministrisë së Shëndetësisë i ka njoftuar kryetarët e komunave për masat e reja që pritet të miratohen më 13 shtator dhe që do të jenë të vlefshme deri më 26 shtator.

Me këtë njoftim të AKK-së është shuar edhe dilema për fillimin e vitit të ri shkollor më 13 shtator, pasi që ky asociacion ka bërë të ditur se mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.

Sipas këtij njoftimi, është bërë e ditur se gastronomia do të vazhdojë të punojë me masat e deritanishme, pra deri në orën 21:30 dhe duke lejuar shfrytëzimin e vetëm hapësirave të jashtme si dhe masat e tjera anti-COVID vazhdojnë siç kanë qenë në këto dy javët e fundit.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka kërkuar nga institucionet shëndetësore që të ketë lehtësim të masave për personat që janë vaksinuar me llojin e vaksinës anti-COVID.

Drejtori i këtij asociacionit, Sazan Ibrahimi për EkonomiaOnline ka thënë se pas kësaj kërkese të AKK-së për lehtësim të masave për të vaksinuarit, kjo çështje ka mbetur e hapur që të diskutohet edhe një herë pas 26 shtatorit.

“Ne kemi ngritur disa kërkesa që na kanë ardhur nga komunat siç është lehtësimi i masave për personat që janë të vaksinuar dhe me këtë ministri na ka lënë të hapur që të diskutojmë për situatën pas 26 shtatorit ku do të merren masat e reja”, ka thënë Ibrahimi.

Po ashtu, kryetari i AKK-së ka bërë të ditur se kërkesë tjetër e kryetarëve të komunave ka qenë edhe hapja e më shumë qendrave të vaksinimit.

“Vlerësuan lartë interesimin e qytetarëve për t’u vaksinuar dhe është mirë që kemi doza të reja të vaksinave, dhe përsëri u shtrua kërkesa nga kryetarët e komunave që të hapen më shumë qendra të vaksinimit”.