Masat e reja, thuhet se do të ketë humbje të vendeve të punës si dhe goditje për buxhetin e vendit

31.08.2021

Javëve të fundit në vendin tonë ka shënuar rritje drastike numri i të infektuarve me COVID-19, njëashtu rritje ka shënuar edhe numri i rasteve të vdekjes nga ky virus. Vetëm dje në vendin tonë janë konfirmuar 932 raste të reja me COVID-19 si dhe janë regjistruar 20 raste të vdekjes. Si pasojë e rritjes së […]

Masat e reja, thuhet se do të ketë humbje të vendeve të punës si dhe goditje për buxhetin e vendit Foto: SuharekaOnline

Javëve të fundit në vendin tonë ka shënuar rritje drastike numri i të infektuarve me COVID-19, njëashtu rritje ka shënuar edhe numri i rasteve të vdekjes nga ky virus.

Vetëm dje në vendin tonë janë konfirmuar 932 raste të reja me COVID-19 si dhe janë regjistruar 20 raste të vdekjes.

Si pasojë e rritjes së numrit të infektimeve e vdekjes nga COVID-19, autoritetet shëndetësore janë detyruar të propozojnë disa masa të reja kundër përhapjes së këtij virusi.

Masat e reja u miratuan nga Qeveria e Kosovës gjatë fundjavës që lamë pas, ndërsa në fuqi kanë hyrë gjatë mbrëmjes së djeshme.

E këto masa kundër COVID-19, sipas njohësve të çështjeve ekonomike do t’i shkaktojë tri goditje të mëdha ekonomisë së Kosovës.

Si shkak i masave kundër këtij virusi, thuhet se do të ketë edhe humbje të vendeve të punës.

Kështu ka thënë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu për EkonomiaOnline, ku edhe ka shtuar se do të ketë goditje për buxhetin e konsoliduar të vendit.

Gërxhaliu ka theksuar se do të ketë edhe rënie të qarkullimit, prandaj sipas tij është koha për një partnerit dhe për një mbështetje të sektorit privat.

Gjithashtu, ish-kryetari i OEK ka kërkuar mobilizim në procesin e vaksinimit, ku edhe ka kërkuar që vendi të mësojë disa nga përvojat e vende të rajonit pasi që kanë bërë më shumë në kohën e mbylljes.

“Do të jenë tri goditje të cilat do të pësojë ekonomia kosovare, në rend të parë do të ketë rënie të qarkullimit në rend të dytë do të ketë edhe mundësi të mbylljes apo të tkurrjes së vendeve të punës dhe në këtë drejtim ajo që është si shtyllë e tretë do të ketë goditje në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, prandaj besoj që është koha për një partneritet dhe për një mbështetje të sektorit privat dhe definitivisht vetëm me partneritet rimëkëmbja do të përshpejtohet”.

Ndryshe masat e marra nga Qeveria e Kosovës do të jenë në fuqi deri më 13 shtator.

Ndërsa gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti ka ftuar në takim kryetarët e komunave për të diskutuar lidhur me gjendjen e krijuar nga COVID-19, por një gjë të tillë kryetarët e komunave kanë refuzuar.