Masat e reja anti-COVID, grave shtatzëna u mundësohet puna nga shtëpia

Masat e reja anti-COVID, grave shtatzëna u mundësohet puna nga shtëpia
Saranda Bytyçi

20.04.2021 / Lajme

Qeveria e Kosovës gjatë ditës së dielë ka marrë masa të reja anti-COVID, ku në kuadër të këtyre masave ka liruar gratë shtatzëna nga obligimi për t’u paraqitur në punë fizikisht.

“7.Të gjitha punëtoret shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësinë që të punojnë nga shtëpia” thuhet në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Vendimi vlen për sektorin publik dhe privat, pasi në pikën 6 të vendimit kërkohet nga “Punëdhënësit publikë dhe privatë udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit”.

Ndërsa gjatë ditës së sotme Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se ky vendim i Qeverisë është duke u respektuar në këtë ministri.

‘’ Ju njoftojmë se vendimi lidhur me lirimi nga puna të grave shtatzëna ka hyrë në fuqi nga dita e sotme, ndërsa sa i përket pyetjes se a respektohet apo jo nga Ministria e Drejtësisë, konfirmojmë se stafi civil i Ministrisë së Drejtësisë është duke e respektuar atë. Punonjëset që për shkak të natyrës së punës nuk mund ta kryejnë punën nga shtëpia nuk largohen nga lista e pagave” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Poashtu pas reagimit të SBASHK-ut, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit numrin e saktë të të punësuarave shtatzëna në institucionet edukativo-arsimore.

RAPORTO