Masat e BE’së konsiderohet se i shkaktuan dëm vendit mbi 500 milionë euro

29.04.2024

Në qershor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian i kishte vendosur disa masa Kosovës e të cilat konsiderohet se i shkaktuan dëm vendit në ekonomi mbi 500 milionë euro.

Masat e BE’së konsiderohet se i shkaktuan dëm vendit mbi 500 milionë euro Foto: Ilustrim

Nga opozita fajësojnë pushtetin për moskoordinim me aleatët, derisa Lëvizja Vetëvendosje kërkon heqjen e tyre për shkak se që nga fillimi ishin të padrejta.

Janë bërë afër një vit, që kur Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

Deri te ky veprim erdhi si pasojë e tensioneve që ishin shkaktuar në veri të vendit, me zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë atje.

Por, me mbajtjen e procesit të votimit më 21 prill në këtë pjesë të vendit, po konsiderohet se të njëjtat duhet hequr.

Besart Dreshaj nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës, vlerëson se nga këto masa vendit i kanë shkaktuar dëm mbi 500 milionë euro në fushën e ekonomisë.

“Mbi të gjitha është dëmtuar imazhi i Kosovës sepse çdo investitor potencial i cili ka shprehë gatishmërinë për me ardhë me investu në Republikën e Kosovës si rezultat i këtyre sanksioneve ata nuk e shohin si vend të përshtatshëm për të investuar kapitalin e tyre në një vend kur Bashkimi Evropian veç e ka fut në sanksione”

Njëjtë mendojnë edhe nga opozita.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala vlerëson se dëme kanë pësuar shumë sektore.

“Kanë pësuar shumë sektori i industrisë, sektori investiv, sektori mjedisor në trajtimin e ujërave të zeza të disa qyteteve, por që parimisht ndërmarrjet vendore të cilat kanë pasur mundësi dhe kapacitet që t’i implementojnë këto projekte tashmë janë jashtë punës dhe në njëfar forme ka rënë puna, kanë rënë investimet, ka rënë zhvillimi i përgjithshëm si rezultat i humbjes së këtyre investimeve nga Qeveria për shkak të politikave moskoordinuese me sektorin evropian”

Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje, vlerësojnë se që nga vendosja e tyre, masat nuk ishin të drejta për vendin.

Deputeti, Driton Hyseni thotë se tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e sanksioneve të tilla.

“Konsideroj ka qenë një qasje jo e duhur nga ana e BE-së për arsye se Kosova ka të drejtën e vet që të ushtrojë autoritetin e vet në tërë territorin e vet dhe këtë e ka bërë me kujdesin maksimal ndaj minoritarëve serbë në pjesën veriore të vendit, mirëpo zhvillimet e fundit edhe këto shqetësimet e zyrtarëve të BE-s të institutcioneve të BE-së i kemi adresuar konform pothuajse edhe propozimeve të tyre”

Zyrtarët e BE-së pas vendosjes së masave më 28 qershor të vitit të kaluar, ishin deklaruar se këto janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren.