Maqedonci, zyrtares së NATO-s: Lëvizjet e trupave serbe përreth kufirit duhet të trajtohen me seriozitet edhe nga Aleanca

12.04.2024

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.

Maqedonci, zyrtares së NATO-s: Lëvizjet e trupave serbe përreth kufirit duhet të trajtohen me seriozitet edhe nga Aleanca Foto: Ilustrim

Ai tha se në takim e ka njoftuar atë me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen.

Gjithashtu, ministri Maqedonci tha se ka folur për prezencën e trupave serb përreth kufirit me Kosovën dhe se NATO duhet ta trajtojë seriozisht këtë.

“Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”.

Maqedonci tha se e ka potencuar se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO.

“Nënvizova që vazhdojmë me përkushtim të koordinohemi e të bashkëpunojmë ngushtë si ministri me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), ndërsa ritheksova se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofrojë kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë”.