Maqedonci: Ushtarët e FSK-së nuk kanë mbetur pa ushqim, koncepti i ri siguron vetëqëndrueshmëri dhe ulje të kostove

para 44 dite

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka hedhur poshtë shqetësimet në lidhje me furnizimin me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Maqedonci: Ushtarët e FSK-së nuk kanë mbetur pa ushqim, koncepti i ri siguron vetëqëndrueshmëri dhe ulje të kostove

Në fjalën e tij para Kuvendit të Kosovës, Maqedonci ka siguruar se asnjë ushtar nuk ka mbetur pa ushqim, duke theksuar se koncepti i ri i furnizimit ushqimor sjell vetëqëndrueshmëri dhe ulje të ndjeshme të kostove.

Maqedonci pranoi se ka pasur disa vështirësi në fillim të zbatimit të konceptit të ri, por theksoi se këto ishin të përkohshme dhe të nevojshme për të shmangur problemet që kishin ndjekur ushtrinë për vite me radhë.

“Në asnjë moment dhe në asnjë rast ushtarët nuk kanë mbetur pa ushqim. Normalisht ka pasur një vështirësi kur kemi ndryshuar konceptin e ushqimit, e cila ka ardhur për arsyen që ne kemi bërë ndërprerje të një fenomeni i cili ka dëmtuar për vite të tëra ushtrinë – atë të dhënies së kontratave emergjente për nëntë vite me radhë të njëjtit operator. Ky sistem jo vetëm që ka dëmtuar buxhetin e shtetit, por gjithashtu nuk ka siguruar qëndrueshmëri në furnizimin ushqimor,” tha ministri.

Sipas ministrit, sistemi i ri i ushqimit është krijuar për të shmangur varësinë nga kontratat emergjente dhe për të ndërtuar një model vetëqëndrueshmërie për FSK-në. Ai theksoi se modeli i ri ka ulur ndjeshëm shpenzimet dhe ka forcuar sigurinë ushqimore të ushtrisë.

“Rasti i fundit i 29 nëntorit dëshmon që ushtria jonë të ketë vetë qëndrueshmëri në ushqim. Them me përgjegjësi të plotë që koncepti i ri për vetë qëndrueshmëri në ushqim, përveç që mundëson një kosto të ulët të shpenzimeve, po e realizojmë për më pak se katër milionë euro,” u shpreh Maqedonci.

Ministri përfundoi duke ritheksuar përkushtimin e tij për të siguruar që FSK-ja të ketë një furnizim të qëndrueshëm dhe ekonomik, duke vënë interesat e ushtarëve dhe buxhetit shtetëror në plan të parë.

Etiketat

Ofertat e fundit