Manxhuka: Raportet për mungesë lirie të shprehjes bazohen në deklaratat e atyre që po “habiten” sot

02.05.2025

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me raportet e fundit që ngrenë shqetësime për lirinë e shprehjes në Kosovë. Sipas Maxhukës, pohimet se në Kosovë nuk ekziston liria e shprehjes janë “totalisht të pavërteta”.

Në postimin e tij, Manxhuka shkruan se në Kosovë jo vetëm që ka liri të shprehjes, por ajo është “absolute”, duke shtuar se kjo liri shkon deri në “mosndëshkim absolut të shpifjes”.

Duke komentuar mbi bazën e këtyre raporteve, zëdhënësi i LVV-së ofron një shpjegim të thjeshtë. Ai pretendon se ata që sot po reagojnë “të çuditur” me raportin, janë pikërisht ata që kanë dhënë përgjigje paraprakisht përpara se raporti të përpilohej.

“Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës. Duke dashur ta godasin Qeverinë përmes raporteve, në fakt janë duke dalë edhe më joseriozë,” thekson Manxhuka.

Ai më tej argumenton se liria e mendimit dhe shprehjes nuk janë ndalur dhe as nuk mund të ndalen në Kosovë. Megjithatë, ai paralajmëron se “gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti,” dhe për këtë, sipas tij, përgjegjësi mbajnë ata që sot po shprehin “habinë”.

Në fund të postimit, Manxhuka jep një “udhëzim” të thjeshtë për të konstatuar lirinë e shprehjes në Kosovë: “Për të konstatuar lirinë ose jo të shprehjes nevojitet në cilëndo natë (e hënë- e premte) me i pa ‘debatet televizive’. Asgjë më shumë.”

Ky reagim i zëdhënësit të LVV-së vjen në një kohë kur çështja e lirisë së shprehjes është bërë temë diskutimi në Kosovë, pas publikimit të raporteve të ndryshme nga organizata ndërkombëtare dhe vendore.