Malisheva kërkon të dalë nga karantina

Komuna e Malishevës kërkon të dalë nga karantina. Kjo pasiqë, sipas një komunikate nga kjo komunë, gjendja është përmirësuar dhe nuk ka nevojë që të vazhdohet kjo gjendje e të qenit në karantinë të plotë, tërë territori i Malishevës.

“Dita ditës, gjendja ka shkuar duke u përmirësuar, numri i infeksioneve ka qenë në rënie, ndërsa numri i të shëruarve ka shkuar në rritje, si dhe gjendja e të prekurve me COVID-19, është duke stabilizuar dhe përmirësuar.”, u bë e ditur sonte në komunikatën për media.

Komuna e Malishevës i bëri thirrje kryeministrit në detyrë të shfuqizojë vendimin e datës: 14.03.2020 , nr.01/10, për ndalimin e hyrje – daljet e qytetarëve në Komunën e Malishevës.

“Po ashtu apelojmë tek qytetarët, që të vazhdojnë ti respektojnë udhëzimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, për masat parandaluese të përhapjes së virusit korona (COVID-19).”, bëri të ditur komuna e Malishevës.

Ndryshe, sonte fshati Banjë i Malishevës doli nga karantina.

Kujtojmë që, nga data 08 shkurt deri më 02 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR janë testuar gjithsej 7.875 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej tetëqind e njëzet e tre (823) raste, me gjithsej njëzet e dy (22) raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.