LVV: S’ka ndryshim pa Kurtin kryeministër

LVV: S’ka ndryshim pa Kurtin kryeministër
F K

08.08.2019 / Lajme

Pavarësisht propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje që dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LVV-ja, të garojnë së bashku në zgjedhjet e reja, zyrtarët e LDK-së kanë thënë se një gjë e tillë është tejet vështirë të ndodhë. Me këtë rast ata kanë ripërsëritur se postin e kryeministrit nuk e lëshojnë assesi, edhe në rast se rrethanat e imponojnë ndonjë koalicion parazgjedhor, siç mund të jetë ai me LVV-në.

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur gatishmërinë të bëjë koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pavarësisht se ende nuk dihet se kur do të mbahen zgjedhjet e reja. Kryetari i LVV-së Albin Kurti është shprehur i bindur se një koalicion i opozitës së vërtetë do ta mundësonte fitoren dhe sigurimin e 70 ulëseve në Kuvendin e Kosovës.

E sikurse LDK-ja që ka bërë të ditur se nuk e sakrifikon postin e kryeministrit edhe në rast se garon me LVV-në në zgjedhjet e reja, njësoj kanë pohuar edhe zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo pasi sipas tyre kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti është ai i cili duhet të vijë në pozitën e shefit të qeverisë së ardhshme. “Jemi të bindur se një kryeministër si Albin Kurti aktualisht i nevojitet Kosovës. Ne jemi të bindur se nuk ka ndryshim substancial pa ardhur një kryeministër si Albin Kurti. Këtu qëndron esenca, një kryeministër i ri në moshë edhe në pikëpamje”, ka deklaruar nënkryetarja e LVV-së Fatmire Mulhaxha-Kollçaku gjatë një prononcimi për gazetën “Zëri”.

Megjithëkëtë deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim përfundimtar se si do të veprohet në këtë drejtim.

RAPORTO