LVV kërkon nga Hoti që të raportojë në Kuvend për marrëveshjen e 4 shtatorit

07.09.2020

Lëvizja Vetëvendosje bën të ditur se kanë dërguar në Kuvendin e Kosovës thirrje që kryeministri i vendit, Avdullah Hoti të raportojë për marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington. Siç thuhet në njoftimin e VV-së, këtë thirrje e ka dërguar nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci. Në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje […]

LVV kërkon nga Hoti që të raportojë në Kuvend për marrëveshjen e 4 shtatorit Foto: Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje bën të ditur se kanë dërguar në Kuvendin e Kosovës thirrje që kryeministri i vendit, Avdullah Hoti të raportojë për marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Siç thuhet në njoftimin e VV-së, këtë thirrje e ka dërguar nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.

Në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se më 4 shtator, Hoti dhe delegacioni që shoqëronte atë bëri zotime për koncesione ndaj Serbisë për çështje dhe tema që prekin drejtpërdrejt sovranitetin shtetëror dhe sipas tyre, bien në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës.

VV thotë se këto zotime si vullnet personal, i konfirmoi Hoti me nënshkrimin e tij në fund.

“Përkundër deklarimeve të vazhdueshme në Kuvend e jashtë tij të vetë z. Hoti, se platformë e dialogut me Serbinë është vetëm Kushtetuta e Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk kemi nevojë për platformë tjetër, kurse mini-shengenin e konsideronte të dëmshëm për Kosovën dhe që i shërben vetëm Serbisë, ajo çfarë pamë më 4 shtator, ishin zotime e koncesione krejtësisht të kundërta me deklarimet e mëparshme e në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës e dëm të interesave të Kosovës”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas tyre, “ajo çfarë u quajt normalizim ekonomik, më shumë është normalizim i Serbisë brenda Kosovës nga përfshirja e Serbisë në shfrytëzimin e përbashkët të resurseve shtetërore të Kosovës, devijimi i linjës hekurudhore nga veriu i Mitrovicës në drejtim të Merdares sipas kërkesës së Serbisë, njohja e të drejtave të Serbisë mbi liqenin e Ujmanit e nxitja e ndërhyrjes në sovranitetin energjetik të Kosovës, prodhimin, tregun dhe sigurinë”.

Ndërsa, sipas VV-së mini-shengeni mundëson hegjemonin ekonomike e tregtare të Serbisë si një ide dhe synim i saj, në një kohë që as nuk e njeh shtetin e Kosovës, e deri tek zotimi antikushtetues për heqjen dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare që në fakt është heqje dorë nga shtetësia dhe nga kërkesa për njohje kolektive të shtetit të Kosovës.

“Për më tepër mundësimi i daljes në detin Adriatik, duke i vënë infrastrukturën shtetërore të Kosovës në dispozicion të Serbisë dhe kushtëzimi i turpshëm i çështjes së personave të zhdukur e bëjnë këtë marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe interesat e saj si dhe në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet tutje në njoftim.

VV-ja thotë se vazhdimi i dialogut sot në Bruksel me hapjen e temave të reja, siç është asociacioni i komunave me shumicë serbe, janë goditje të shumanshme që po i bëhen rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror sa në njërin takim, sa në tjetrin, gjithnjë sipas kërkesave të Serbisë.