LIVE – Filloi seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës
Ka filluar seanca konstituive e Legjislaturës së IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca po drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV) dhe deputetja më e re, Sala Jashari (PDK).
12:00Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve ka konfirmuar sot se mandatet e 120 deputetëve të zgjedhur në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës janë në rregull. Lajmin e bëri të ditur kryesuesi i këtij komisioni, Artan Abrashi.
Sipas Abrashit, komisioni ka shqyrtuar dokumentacionin e nevojshëm zgjedhor, përfshirë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe listën e deputetëve. Ai theksoi se në këtë legjislaturë janë certifikuar gjithsej 120 deputetë.
Megjithatë, Abrashi njoftoi se raporti i këtij komisioni, i cili konfirmon rregullsinë e mandateve, është kundërshtuar nga tri parti opozitare: PDK, LDK dhe AAK. Arsyet e kundërshtimit nga ana e këtyre subjekteve nuk u bënë të ditura menjëherë.
“Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandatave të deputetëve, paraqet këtë raport që kaloi me shumicë votash, ani pse u kundërshtua nga PDK, LDK e AAK,” deklaroi Abrashi.
Pavarësisht kundërshtimeve, kryesuesi i komisionit siguroi se Kuvendi i Kosovës mund të vazhdojë me punimet e planifikuara sipas rendit të ditës. Konfirmimi i mandateve është një hap i rëndësishëm për funksionimin e plotë të legjislativit dhe proceseve të tjera kushtetuese në vend.
Mbetet të shihet se si do të zhvillohen më tej diskutimet lidhur me kundërshtimin e opozitës ndaj raportit dhe nëse kjo do të ndikojë në dinamikën e punës së Kuvendit në ditët në vijim.
11:15Partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës kanë propozuar emrat e tyre për anëtarë të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Ky komision udhëhiqet nga LVV-ja, partia fituese e zgjedhjeve. Formimi i këtij komisioni është pika e parë e rendit të ditës të seancës konstituive të Kuvendit.
Pas formimit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, seanca plenare shkoi në pauzë 15-minutëshe, në mënyrë që ky komision të mund të përpilojë raportin e tij, i cilit më pas duhet të miratohet.
Në sallë janë të pranishëm 119 deputetë, të cilët votuan për krijimin e këtij komisioni të përkohshëm.
11:00Tashmë gjithçka është gati për fillimin e seancës konstitutive. Në sallën e Kuvendit kanë arritur edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në krye me kryetarin e saj, Albin Kurtin, të cilët paraprakisht janë nënshkruar.
Seana është paraparë të nisë në orën 10:00, mirëpo edhe nuk ka filluar.
Seanca ka këtë rend të ditës: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Dehari i cili po e udhëheq seancën tha se në këtë senacë konstituive nuk do të zhvillohet debat dhe se përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të kuvendit.