Lista Serbe bojkoton shkarkimin e kryetarëve ne veri, reagon Ambasada Amerikane

08.04.2024

Lista Serbe ka njoftuar se do të bojkotojë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill.

Lista Serbe bojkoton shkarkimin e kryetarëve ne veri, reagon Ambasada Amerikane Foto: Ilustrim

Në lidhje me këtë ka reaguar ambasada amerikane në Kosovë, të cilët në një përgjigje për Dukagjinin kanë shprehu keqardhje për këtë.

“Mundësi pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës. Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që “të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri”.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet më tej në përgjigje.

Nga ambasada amerikane kanë thënë se ShBA-të i vlerësojnë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhor për t’i lejuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në këtë proces demokratik.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe demokracinë e lirë, të drejtë dhe të lirë të Kosovës dhe   zgjedhje legjitime që e mbështesin atë.

Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për tërheqjen e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë. Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhorë kosovarë për t’i lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë proces demokratik”.

Kurse më herët është njoftuar se anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore (KKZ) në veri nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje.

Këtë e konfirmoi për Dukagjinin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se katër anëtarët e Listës Serbe, për anëtarët e Komisioneve Komunale për Leposaviq, Zvecan, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje.

“Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe.

Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilë përfaqësojnë subjektet politike parlamentare. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së”, tha ai.