Limaj për 3 ditë, 2 herë ndryshon qëndrimet për taksën

  • 31.03.2019, 20:49

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, kur është në pyetje çështja e heqjes apo mbajtjes së taksës 100% ndaj Serbisë, ai tani nuk po ka një qëndrim të qartë në lidhje me këtë.

Ju kanë dashur vetëm 3 ditë që Limaj të ndryshojë qëndrimin e tij në lidhje me taksën, ai në Rubikon gjatë natës së 28 marsit kishte thënë se taksa tani ka arritur efektin e vet dhe duhet të shqyrtohet pezullimi i saj nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

“Vendimet politike nuk janë të përjetshme, ka arrit qëllimin e vetë, nëse ki arritur në stazën ku keni dashur të shkoni atëherë duhet të ulesh e t’i diskutosh….Natyrisht rrugës e sipër kryeministri ka shkuar një hap më tutje. Ka ec më tej qëndrimit të përbashkët. E ka dërguar taksën deri te njohja. Të gjithë do të donim ashtu, por realisht e dimë të gjithë që herët a vonë do duhet të kemi një dialog me Serbinë”, ka thënë Limaj.

Mirëpo vetëm 3 ditë pas kësaj deklarate, Limaj duket e ka ndryshuar qëndrimin  e tij, ai sot në RTK ka thënë se taksa do të mbahet derisa Serbia të plotësojë kushtet që ka kërkuar Kosova.

“Përderisa të pushojnë arsyet. Janë qindra arsye që neve na kanë detyruar për të vënë taksë. Duhet të pushojnë arsyet për të hequr taksën. Taksa nuk do të hiqet pa plotësimin e kushteve. Besoj se kjo është e qartë për të gjithë. Vetëvetiu taksa nuk hiqet pa plotësimin e kushteve, kërkesave të Kosovës që ka në raport me Serbinë. Pres që Serbia të reflektojë në këtë drejtim”, tha Limaj.

Kështu Limaj nuk po është i qartë me qëndrimet e tij për taksën ndaj Serbisë, ai dita e ditës po del me deklarata të ndryshme dhe kontroverse.

Kujtojmë se taksa 100 % e vendosur ndaj Serbisë ka bllokuar procesin e dialogut me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshje finale mes dy vendeve, marrëveshje kjo e garantuar nga fuqitë e mëdha të botës si dhe ka dëmtuar seriozisht marrëdhëniet me SHBA’të, BE’në dhe disa nga vendet mike të Kosovës.

Të tjera